E majta dhe politika shqiptare në mesazhet e një libri

Sep 27, 2011 | 11:14

NDRIÇIM KULLA

Mënyrat e takimit me një libër politologjie janë të ndryshme, por ndikimi i librave të mirë është gjithnjë po ai. I ke aty sa herë që gjendesh në mëdyshje a kërkon diçka të re, i ke aty sa herë nevojitet një këshillë e, pse jo, edhe një rrugëdalje. Ndoshta të duket e vështirë që të gjitha këto të mund t’i japë një libër, por është më se e besueshme që shkëndijën dhe frymëzimin patjetër që duhet ta japin librat dhe dituria e tyre. Ndjesi të tilla të ngërthehen kur lexon librin “Përtej së majtës dhe së djathtës?”, me autor politologun Anthony Giddens, një temë kjo e hapur dhe e trajtuar fort nga opozita në zgjedhjet e 2009-s, si një risi a si një rrugë e re politike. Por, edhe përveç kësaj nisme, raporti i majtë/i djathtë, e veçanërisht rinovimi i tij në varësi të kohës dhe ambientit shqiptar, është detyrë imperative e çdo force politike, është apo jo në pushtet. Prandaj, ky libër nevojitet për shumë arsye. Së pari, me anë të një “impianti” teorik dhe filozofiko-socal ai arrin të konturizojë qartësime dhe kthjellime vizionesh dhe termash që duhet të përdoren sot në ambientin politik në trajtimin e së majtës, së djathtës, nocionit “përtej”, lidhjes së tyre me shoqërinë globale, për të arritur në një përfundim konkret të përdorimit të qasjes më të volitshme për metodologjinë e trajtimit tonë. Në rrafshin e dytë, bazuar në një analizë të përgjithshme, por thelbësisht të mjaftueshme, të rrymave, politikave, teorive dhe studimeve më mbizotëruese në fushën e filozofisë politike botërore, ai ka arritur të përshtatë një “rezervuar” idesh, parimesh, modelesh dhe teorish të veçanta, të nevojshme në rrugën e gjatë të shoqërisë dhe politikës sonë në formimin e një identiteti të qartë, të mirëravijëzuar të së “majtës” dhe së “djathtës” sonë. E gjitha kjo është parë, qoftë në pikëpamjen tradicionale, qoftë me evoluimin e këtyre nocioneve, në përputhje me globalizmin dhe pas krizës financiare të vitit 2009. Por, më e rëndësishme është se ky identitet që lipset të formohet, është lehtësisht e mundur për t’u përthyer me realitetin që ofron shoqëria  shqiptare, shtresëzimet dhe “zonat” e saj socio-ekonomike dhe politike. Të dyja këto lloj analizash, në rrafshin teorik dhe atë praktik,  shërbejnë më në fund për ndërtimin e një rrafshi të tretë, ku përmblidhen problematikat dhe sugjerimet më kryesore për “themelimin” e një programi politik dhe një stine të re të të gjithë politikës shqiptare, që t’i përgjigjet ndryshimit të kohëve dhe kushteve shoqërore, e që t’i shkojë më shumë përshtat domosdoshmërisë sonë historike dhe premisave të sotme gjeopolitike, në përputhje me shpirtin dhe evoluimin e ndërgjegjes social-politike të qytetarëve tanë gjatë gjithë këtyre 20 viteve. Në këtë nyje të pamundur për t’u shmangur  midis demokracisë dhe liberalizmit e kapitalizmit, le të përmendim këtu edhe dy mësime që na vijnë nga dy korifenjtë transformues të mendimit të së majtës gjatë gjithë këtyre dekadave të fundit. Vetë Gidensi, teoricieni i famshëm i vijës së tretë, duke përsosur impiantin teorik të demokracisë deliberative të menduar nga Miller, propozon dhe i meshon fort një demokracie dialoguese, që të mos arrijë ta narkotizojë konfliktin politik, ekonomik dhe ideal (midis së majtës dhe së djathtës), por, nga ana tjetër, të favorizojë pohimin e tolerancës reciproke, duke iu kundërvënë pa vijë shpëtimi fondamentalizmave, edhe atyre të sferës së politikës institucionale, të menduara si realitete mbytëse, gjithësunduese e sterilizuese të parimit të përgjegjshmërisë. Ishte vërtet risia më e madhe, madje duhet konsideruar – në kundërshtim nga opinioni mbizotërues i disa analistëve – si vlera më e madhe që periudha opozitare e majtë i ka dhënë demokracisë shqiptare, fryma e kësaj demokracie dialoguese, fryma e një klime të çtensionuar në marrëdhëniet pozitë-opozitë (pavarësisht çështjeve të shumta që hyjnë në optikën e interesave të secilës palë), atëherë kur midis tyre u vendos një ngjarje e rëndë si ajo e Gërdecit, një klimë kjo që u anatemua aq fort, veçse pa shumë të drejtë, pa largpamësi e frymë kombëtare, kur në fakt mund të quhej se përbënte shtyllën kryesore të politikës gidensiane; pra, të një politike vërtet të re të bazuar në forcën e arsyes në vend të arsyes së forcës që, për fat të keq, kemi parë disa herë të përdoret nga e majta shqiptare. Janë të gjitha këto aspekte nga të cilat po vuan e majta shqiptare këto vitet e fundit që është në opozitë. Ndaj, njëra nga rrugët më të mira për të ndërtuar një shtrat të fortë identitar është nisja e kultivimit të demokracisë dialoguese gidensiane. Me mjaft vlerë shfaqen edhe disa korniza e parime mbi formimin e identiteteve të qarta të partive. “Parimi i përgjithshëm kornizues i shtëpisë të së majtës sot duket të jetë: “Socializmi nuk mjafton. Tashmë revolucioni liberal duhet bërë edhe pjesë e së majtës”. Duke filluar pikërisht që nga çështja sociale. Vijmë kështu, në parashtrimin edhe të një kushti bazë të realizimit të liberalizmit politik, që qëndron në idenë e “drejtësisë si barazi”. Rolls e ndërfut këtë ide për ta lidhur me një tjetër, themelore në teorinë e vet, atë të “konsensusit të kryqëzuar”, sipas të cilit parimet e drejtësisë, në ambientin politik, duhet të rrënjosen në “hapësirën e kryqëzuar” të doktrinave të të gjitha palëve politike. Nga ky formulim, kuptojmë sot menjëherë një tjetër plagë të rëndësishme të shoqërisë dhe politikës shqiptare. Është ky një tjetër parim thelbësor identitetformues i së majtës shqiptare. Aq më tepër që për të gjitha këto karakteristika, liberalizmi politik duket si përgjigjja më funksionale ndaj urgjencës së sotme për një shoqëri të mirërregulluar e të bazuar te drejtësia dhe pluralizmi. Ai ofron një vizion mbizotërues të një rendi të lirë social dhe politik, demokratik dhe njerëzor, që përballet me këndvështrime alternative, veçanërisht me utilitarizmin dhe liberalizmin kudo sundues sot në botë. Janë fjalë që sot në veshët e opozitës lipset jo të dëgjohen, por duhet të gjëmojnë, aq më tepër që njëra nga pikat më të rëndësishme të këtij dialogu duhet të zhvillohet pikërisht brenda demokracive partiake. Edhe këtu na vjen në ndihmë tabela e madhe e rrezikut që ngre autori në disa pjesë të librit me temën “T’i mbrojmë partitë nga vetvetja”, dhe nga ai cikël i shkurtër virtual kastash brenda vetes. Partitë nuk mbarojnë bashkë me qeverisjen, por zgjasin përtej qeverive, për të jetuar domosdoshmërisht periudha opozitare, pa i shpërhapur forcat në fushata të përhershme konfliktuale, që i mbajnë të gjithë nën një tension konstant. Ky art i të duruarit, të qëndruarit e jo vetëm të pluskuarit, përtej perspektivës qeverisëse, nëse fitohet, do t’i shërbejë shumë jo vetëm së majtës (tashmë në opozitë), por edhe vetë së djathtës në pushtet.
Në fjalimin e vet të 20 janarit, Obama citon letrën e parë të Palit ndaj Korinthasve, duke thënë “se ka ardhur koha t’i lëmë mënjanë gjërat foshnjërake”. E kjo do të thotë të rikthehesh te ligji, te konkurrenca e vërtetë, tek alternativat, te zbulimi i ideve të reja, te braktisja e asaj arrogance të veçantë të bashkuar me cinizmin që karakterizon gjërat foshnjërake. Ndryshe, alternativa, duke u mbyllur në flluskën e bukur të anashkalimit apo injorimit të parimeve të tilla: vërtet është një flluskë që shkëlqen e bukur dhe shumëngjyrëshe,  por deri kur shpërthen papritmas e lë pas mbeturina të pafundme rastesh patologjikë të raporteve me ligjin, moralin, etikën publike dhe njëanshmërinë, që janë toka më pjellore e njelmësisë së batakut, intrigës dhe autoritarizmit.

© Panorama.al

Te lidhura