Drogë në makinë, policia e Durrësit arreston djalin e Gramoz Ruçit

Jan 31, 2012 | 11:12

Gramoz Ruçi

Tri ditë pas bllokimit të makinës me targa zyrtare, policia e Durrësit arreston Ledio Ruçin për 1,5 gramë kanabis.

Tri ditë pas bllokimit të makinës me targa zyrtare të deputetit Gramoz Ruçi, i biri ndalohet për drogë. Një sasi prej 1.5 gramësh kanabis sativa u zbulua nga Policia e Durrësit në derën anësore të shoferit, në makinën Volkswagen Touareg. Kjo makinë u mbajt e bllokuar nga Policia Rrugore e Durrësit mbrëmjen e së premtes, ndërsa drejtohej nga 28-vjeçari Ledio Ruçi. Në të u gjet nga kontrolli paraprak një armë sportive që i përkiste shokut të Ruçit, i cili ndodhej pasagjer në makinën e drejtuar nga djali i deputetit socialist. Policia e Durrësit arrestoi Lori Kelollin, 23 vjeç, nga Tirana dhe mbajti të sekuestruar për mungesë dokumentacioni makinën me targa TR 0141 Z. Ende pa u kryer procedurat për zhbllokimin e makinës private të familjes Ruçi, por që mbahej ende me targat zyrtare, edhe pas blerjes në ankandin e Kuvendit. Pas tri ditësh bllokimi, specialistët e Antidrogës në Durrës kanë ushtruar kontroll në makinën e Ruçit, duke gjetur sipas tyre një sasi prej 1.5 gramësh drogë, e ngjashme me kanabis sativën. Sipas Policisë, lënda narkotike është gjetur te dera e parë e mjetit, saktësisht në xhepin e derës së shoferit. Menjëherë, ndaj Ledio Ruçit është vendosur masa e ndalimit, me akuzën e prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike. Masa është marrë pasditen e djeshme, ndërkohë që gjatë orëve të mesditës 28-vjeçari ka qenë vetë i pranishëm në Durrës. Burime të besuara thanë se vizita e tij në qytetin bregdetar kishte lidhje me mjetin e atit të tij, që iu bllokua nga policia e këtij qyteti të premten e shkuar. 28-vjeçari është interesuar për procedurat që i duhet të ndjekë, për të nxjerrë nga pika e bllokimit mjetin tip “Volkswagen Touareg”, me targa TR 0141 Z, i cili prej tri ditësh ndodhet në pikën e bllokimit në Xhafzotaj. Nga ana e Policisë së Durrësit mësohet se mjeti ishte pa dokumentacionin përkatës, i cili nis që me ndryshimin e targave, pasi makina është blerë dhe shfrytëzohet në mënyrë private. Por, pa kaluar shumë kohë nga momenti i pranisë në Durrës të Ruçit, atij i është komunikuar masa e ndalimit. Nuk dihet ende si  është shpjeguar prania e sasisë së drogës në makinë nga ana e të riut.

Brenda një harku prej 72 orësh, Ledio Ruçi është shoqëruar dy herë nga Policia e Durrësit. Tri ditë më parë, ai u shoqërua në Komisariat pasi mjeti me targa zyrtare, në pronësi të deputetit socialist Gramoz Ruçi, nuk dispononte dokumentacionin e nevojshëm. Ndërsa kthehej me dy shokë nga Gjirokastra, Ruçi nuk i ishte përgjigjur thirrjes për ndalim nga policia e qytetit jugor, e cila lajmëroi kolegët e saj. Pikërisht në hyrje të Durrës, një postbllok policie bëri ndalimin e makinës me targa Z. Gjatë kontrollit, në automjetin e lartpërmendur u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë sportive, pushkë (pa numër), që dyshohet se posedohej nga shtetasi Lori Kelolli. Shtetasi Ledio Ruçi dhe E. Malaj, pas kryerjes së veprimeve të nevojshme procedurale, u lanë në gjendje të lirë.

Plagosja
Më 1 shkurt 2004, Ledio Ruçi dhe disa djem nga Laçi janë grindur në një Pub në zonën e ish-Bllokut, duke qëlluar me armë. Nga ngjarja mbetën të plagosur Ruçi, si dhe shtetasi Artur Ceka. Djali i deputetit Ruçi ka qenë i shoqëruar me një femër. Kanë qenë ngacmimet e një grupi djemsh nga Laçi ato që kanë provokuar Ledio Ruçin në sherrin që precipitoi me të shtëna armësh.

2 HERE
brenda tri ditësh u shoqërua për në Komisariatin e Durrësit djali i deputetit Gramoz Ruçi, por dje ndaj tij u vendos masa e ndalimit për prodhim dhe mbajtje lëndësh narkotike

1.5 GRAME
lëndë, e dyshuar si kanabis sativa, u gjet në derën e shoferit, në makinën Touareg në pronësi të familjes Ruçi, bllokuar të premten e shkuar për mungesë dokumentacioni

Aksidenti ku u përfshi 28-vjeçari
Në nëntor të vitit të shkuar, Ledio Ruçi u përfshi në një aksident me makinë në Rrugën e Elbasanit në Tiranë. Mjeti BMV X6, drejtuar nga 28- vjeçari u përplas me një makinë “Mini Cooper”. Nga përplasja e fuqishme humbi jetën në spital pasagjerja e mjetit të dytë, Brunilda Pinderi dhe u plagosën dy të tjerë. Policia arrestoi drejtuesin tjetër, Edi Lika, ndërsa pas shoqërimit të Ruçit ai u la i lirë, pasi Prokuroria nuk kërkoi masë sigurie ndaj tij. Nga hetimet rezultoi fajtor shtetasi Lika, pasi ekspertiza saktësoi që ai kishte hyrë me semafor të kuq në kryqëzim. Mjetet dolën jashtë përdorimi dhe prej asaj dite, i riu qarkullonte me makinën që i ati kishte privatizuar në ankandin e zhvilluar dy vite më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, për shitjen e makinave në pronësi të shtetit.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura