Dyshohet se e mori rrjedha e ujit pas aksidentit në Klos, prej 7 ditësh asnjë gjurmë për 30-vjeçarin! Polumbarët vazhdojnë kërkimet në lumin Mat

Jan 17, 2026 | 14:15

Ende nuk ka asnjë gjurmë për 30-vjeçarin Jurgen Karaj, që dyshohet se e ka marrë rrjedha e ujit pas aksidentit të ndodhur në Klos, më 10 janar, ku automjeti në të cilin ai ndodhej doli nga rruga dhe ra në një përrua.

klos makina perrua

Polumbarët e RENEA-s dhe policia, të cilët janë vijuar kërkimet prej ditësh, thonë se nuk ka asnjë gjurmë për të riun. Në operacion janë angazhuar edhe forca të tjera.

Automjeti tip “Audi” me targa angleze doli nga rruga dhe ra në përroin e fshatit Dars.

Shofer ishte 24-vjeçari Andi Losha, i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur. 24-vjeçari dyshohet se pas aksidentit u largua nga vendngjarja dhe nuk ndihmuar 30-vjeçarin të dalë nga mjeti.

Njoftimi i policisë:

Polumbarët e RENEA-s dhe shërbimet e Policisë vijojnë kërkimet në lumin e Matit,  për gjetjen e 30-vjeçarit, shtetasin J. K.

Prej datës 10 janar 2026, polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet për gjetjen e shtetasit J. K., 30 vjeç, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit të fshatit Dars, duke e çuar më pas në lumin Mat.

Në operacionin e kërkimit janë të angazhuar polumbarët e RENEA-s, Forca Kombëtare e Sigurisë, Forca e Posaçme “Shqiponja”, e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, përfaqësues të Forcave të Armatosura, si dhe forca vullnetare e familjarë,  të cilët vijojnë krehjen e shtratit të lumit nga të dyja anët.

Deri në këto momente, nuk është bërë e mundur gjetja e 30-vjeçarit.

Angazhimi i strukturave të Policisë së Dibrës, Polumbarëve të Renea-s,  Forcave Kombetare të Sigurisë dhe strukturave të tjera të përfshirë në operaionin e kërkimit  për të bërë të mundur gjetjen e trupit të 30-vjeçarit ka qenë i plotë dhe vijon me intensitet e në mënyrë të pa ndërprerë.

© Panorama.al

Te lidhura