Dy vrasje në Kamzë, në dy ditët e fundit të vitit 2011

Jan 5, 2012 | 13:22

TIRANE – Dy ditët e fundit të vitit 2011 janë mbyllur me dy vrasje të kryera me armë zjarri, në Kamzë të Tiranës. Ngjarja e parë, e datës 30 dhjetor, ka ndodhur në një disko, pas një sherri mes truprojës e një klienti, ndaj Policia ka arrestuar autorin dhe përkrahësin e tij. Ndërsa vrasja tjetër mësohet të ketë ndodhur nga pakujdesia. Burime nga Policia thanë se për vrasjen e 28-vjeçarit Mandi Prenga është arrestuar Kujtim Prenga, 41 vjeç, punonjës i Policisë Ushtarake në Sauk, i punësuar si truprojë në lokalin ku ndodhi ngjarja. Menjëherë pas kapjes së tij, Policia arrestoi edhe 34-vjeçarin Kastriot Balla, pasi menjëherë pas ngjarjes ka përkrahur autorin e dyshuar të krimit, duke e strehuar në banesën e tij në godinën nr.10, në Institutin Bujqësor. Sipas burimeve nga Policia, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti të çastit mes autorit, që ishte truprojë i lokalit dhe klientit, i cili është goditur me një plumb, me pistoletë tip “TT” nga i dyshuari. Ndërsa vrasja e dytë ndodhi rreth orës 23:10, të datës 31 dhjetor dhe, sipas Policisë, ka ndodhur nga pakujdesia. Sipas burimeve, për këtë ngjarje u krye arrestimi i autorit të dyshuar, i cili është Petrit Pepkola, 30 vjeç. Ai akuzohet se ka vrarë aksidentalisht me pistoletë 62-vjeçarin Lutfi Damzi, i cili ishte i punësuar si roje në kompleksin e pallateve ku banonte autori.

© Panorama.al

Te lidhura