Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas tërheqjes së dy deputetëve demokratë nga gara e primareve të PD.
Bëhet fjalë për Ferdinand Xhaferajn dhe Helidon Bushatin të cilët njoftuan se nuk do të marrin pjesë në garën e primareve.
Lidhur me këtë Berisha tha se këta dy deputetë dhe çdo deputet tjetër kanë besimin e plotë të tij për çdo iniciativë që ta marrin dhe se ai respekton vendimin e tyre për t’u tërhequr nga gara.
Berisha: Së pari unë shpreh konsideratat e tyre për dy deputetët, rolin e tyre, kontributet e tyre të pamohueshme në PD dhe garantoj se, unë bashkëpunimin me ta sot dhe në të ardhmen e konsideroj të çmuar. Po kështu, edhe për cilindo që merr këtë veprim.
Këta dy deputetë dhe të tjerë kanë pasur dhe kanë besimin e plotë të Sali Berishës, por një gjë, e kam përsëritur dhe dua ta përsëris; edhe në thellësitë e territ të diktaturës, për mua liria ka qenë e drejta për të zgjedhur atë që do individi.
Thelbi i lirisë është e drejta e zgjedhjes dhe për fat të mirë e kam shkruar dhe në atë kohë kur filozofia ekzistencialiste konsiderohej një nga më reaksionaret e kohës. Por unë i besoj atij parimi.










