“Dy ‘Benz’-at e Enverit si të Titos e Çausheskut”/ Rrefehet ish-shefi teknik i Parkut të Delegacioneve: Dëshira e Shrederit në Tiranë

Jan 8, 2025 | 20:30

UVIL ZAJMI/ Parku i Delegacioneve, siç është njohur, ka qenë i vetmi në Republikën Popullore të Shqipërisë, me një destinacion specifik, shërbim krejt ndryshe, nga shumë parqe të tjera të automjeteve, por jo analogë me të.

Ne foto parada, Enver Hoxha dhe Cu En Lai
Foto nga parada, Enver Hoxha dhe Cu En Lai

Autovetura, autobusë të markave të njohura të huaja, dhe me një grup shoferësh të përzgjedhur, me eksperiencë. Përballë stadiumit “Dinamo”, për shumë vite aty ka punuar Xheladin Sengla, i cili në një rikthim tek ai park, për Gazetën “Panorama” rrëfen si ka funksionuar ai institucion, siç e konsideron ai.

“Ai park me automjetet e tij ka shërbyer nga anëtarët e Byrosë Politike, delegacioneve të huaja, kryetarë shtetesh që kanë vizituar Shqipërinë, nga Krushovi, Cu En Lai, te Sihanuk me gruan e tij, Shreder, Raison, Shtraus, Berluskoni e të tjerë. Si dhe grupeve artistike, ekipe sporti, zyrtarë të lartë nga Havelanzhe, Blater, Platini deri edhe këngëtarët, nga Marinella, grupi muzikor Skorpions”. Por, tradita vazhdon.

Edhe pse i transformuar, nëse afrohesh, pyet, do të informohesh se ai vazhdon të funksionojë, të ketë atë mision. Aq më shumë kur je përballë tij syri të kap një tabelë në krah të hyrjes kryesore, ku më gërma kapitale shkruhet: ”PARKU I DELEGACIONEVE”.

Xheladin Sengla: “Jam dëshmitar në historinë e atij parku”

Sot, 85 vjeç, por që nuk i tregon, përkundrazi, me një kujtesë të admirueshme, pjesën më të madhe të jetës e ka të lidhur në atë park unikal në Shqipëri. Për misionin që kishte. Deri në vitin 2007, kur ai do të ndahet me të, pasi ka mbushur vitet e punës. Është larguar, por pa harruar njohjet, miqësitë, vlerësimet për punonjësit, drejtuesit, gjithçka të atij parku.

 

Parada, Krushovi
Parada, Krushovi

Z. Sengla, cilat janë fillimet tuaja profesionale

Kam qenë 18 vjeç, kur shkova të kryej shërbimin ushtarak, në bazën e Pashalimanit, në periudhën 1958-62 si K/Elektricit i nëndetëseve. Në vitin 1958, kreva një specializim në Sevastopul, u ktheva dhe rreth 50 muaj, kam shërbyer aty. Më 1959, kur ka ardhur Krushovi, e kemi shoqëruar në bazën lundruese, më pas vajtëm deri në Sarandë. U habit për funksionim e saj, se e pa me sytë e tij. Kur mbarova shërbimin ushtarak, nisa punë në parkun Komunal Tiranë, si elektro- aut. Gjatë kësaj kohe vazhdova shkollën, se e pata ndërprerë.

Lidhja, vitet e parë të punës me atë park

Në Parkun e Delegacioneve kam shërbyer më shumë se 35 vjet. E kam nisur punën në vitin 1971, si mekanik-elektroauto. Pasi mbarova filialin pranë universitetit, dega elektromekanike u emërova shef i sektorit teknik dhe kolaudator.

Çfarë ishte ai park, zanafilla e tij?

Pas 1950-tës, vit pas viti bëhej më e nevojshme për të pasur një park të tillë, me funksion specifik. Me parë këtë detyrë e kryente Drejtoria e Pritjes me automjetet e kohës, sigurisht që mirëmbaheshin, nga ai park, me shoferët, administratën. Për problemet që dolën, me vendim qeverie u krijua Parku i Delegacioneve, kjo në vitin 1970-71, në varësinë e Ministrisë së Transporteve. Më vonë e shtua, u bë një aneks i tij në Qytetin e Nxënësve. Parku i specialistëve quhej, pasi shërbente për specialistët e huaj. Gëzim Bebeti ishte përgjegjës.

Automjetet Volvo
Automjetet Volvo

 

Ndonjë emër në atë start të atij parku?

Kujtoj në krijimin e atij parku, ka qenë Lato Bimi nga të parët, mekanikë. Kishte punuar me italianët, mjeshtër, e morën se zotëronte mjaft eksperiencë. Njëri shumë i mirë, teknik i përsosur, i edukuar, tipik për të punuar në atë mjedis. Ndihmonte mekanikët e rinj.

Një park që duhet të jetë gjithmonë nën ruajtje?

Ky park ruhej nga Shërbimi i Gardës së Republikës. Më 1971, mori pamje tjetër, me një sipërfaqe rreth 2000m2, me ofiçinë, gropë riparimi, lavazh, krik hidraulik, i vetmi në Shqipëri. Automjetet qëndronin në kapanone, me “Benz”-at në ato kryesore, po kështu edhe autobusët. Çdo shofer duhet të lante automjetin për ta pasur në gatishmëri, për një shërbim të mundshëm, mbylleshin dhe çelësi dorëzohej në dispeçeri.

Z. Sengla, si garantohej siguria teknike e një automjeti?

Në pritjen e delegacioneve kryesore, qeveritarëve të lartë, drejtues shteti, mjetet kalonin në një kontroll teknik të përbashkët me Drejtorinë e Dytë të Sigurimit të Shtetit. Gjithçka shoqërohej me një fletë-udhëtimi, të firmosur nga përgjegjësi kolaudator, teknik. Garancia teknik ishte kryesore. Në park punohej me orar 7-15. Në ditët e gatishmërive, aplikonim dezhurnet e zakonshme 24 orësh me dy shoferë. Në qytet të tjera jashtë Tiranës, nuk mund t’i linin makinat në vende të pakontrolluara, gjithmonë në kujdesin Drejtorisë së Punëve të Brendshme.

Nga kujdesi për karburantin, te kontrolli mjekësor?

Përdorej karburant i veçantë, që fillimisht transportohej me fuçi, pastaj u krijua në pikë karburanti diku afër parkut dhe në mënyrë sistematike bëhej analiza e tij. Gjithashtu, të gjithë shoferët që përgatiteshin në pritje të delegacioneve, dhe me një qëndrim disa ditor me to, ishin të detyruar të bënin kontrolle mjekësore. Vinin mjekë kryesisht nga klinibënin kontrolle mjekësore. Vinin mjekë kryesisht nga klinika e udhëheqjes në Tiranë.

parku 2

Kur ishte fluksi dhe angazhimi më i madh?

Kryesisht në ditët e festave 28, 29 Nëntor, 1 Maj, si dhe për të huajt gjatë kongreseve. Kur kishte fluks, merrnim shoferë nga parqet e tjera, ata më të mirët, me eksperiencë, thuajse e njëjta listë dhe politikisht të aprovuar nga Ministria e Brendshme.

Cilat ishin kriteret për të punuar në atë park?

Shoferët duhet të ishin me biografi të mirë, pasi Parku i Delegacioneve kishte destinacion, detyrë t’i shërbente edhe Byrosë Politike, anëtarëve të saj në raste specifike. Arsimi i mesëm ishte i detyruar. Nga shoferët, që ishin kontingjent i yni, por që dublonin, punonin edhe me anëtarë të Komitetit Qendror, ishin Petrit Pullazi, Nasho Zareci, Pilo Dako dhe Maliq Mema, Demir Ibahaim, Fatmir Zakja, Agim Metani, Besnik Bardhi.

Sa e pranishme ishte partia në atë park?

Nuk ishte detyrim të ishe komunist të punoje aty, por shoferët ishin të përzgjedhur, të aprovuar nga Drejtoria e Dytë. Në park, ka funksionuar edhe organizata e partisë, me punonjës që bënin jetën e partisë aty. Pas 90-të, mjaft prej tyre dorëzuan teserën.

Çfarë veturash, cili ka qenë kontingjenti i automjeteve?

Fillimisht makina të markave sovjetike “Ziz 110” të mbuluara dhe të hapura si “Chevrolet”, si dhe “Vollga, “Superbuj” “Tatraplan”, etj. Të gjitha thuajse ruse dhe nga vendeve lindore. Dhe një “Cadillak”, makinë perëndimore. Në pritje të personaliteteve nga Krushovi, Cu En Lai, Sihanuk, shërbehej vetëm me “Ziz 110”. Të gjitha me benzinë.

Paark delegsot

Z. Xheladin, po me makinat e Enver Hoxhës, si veprohej?

Byroja Politike kishte 20 “Benz”-a të zinj. Ai” 280″ prodhim i 1964, ishte vetëm për Enver Hoxhën. Duke qenë se me kalimin e viteve u konsiderua i vjetëruar, më 1980 u porositën, erdhën njëri pas tjetrit 2 “Benz”-a 600 (Pulman), me tre dyer, “Limuzinë”, e zezë prodhim jashtë serie, vetëm në shërbim të tij. Të tillë kishin Tito, Çaushesku. Secili kishte kartelën dhe kushtonin rreth 70 mijë dollarë. Limuzina, vite më vonë, pati një dëmtim gjatë një shërbimi, dhe me vdekjen e Hoxhës e sollën tek ne në park. Pas 90-tës, ndërsa tentuam ta riparonim, një servis që kushtonte 150 mijë dollarë, disa specialistë gjermanë, na propozuan t’i ndërronim, duke na sjellë një “Benz 380 C” të ri, modern i pajisur me radio. Vajtëm e morëm në Bari, por “Benz”-i i kaloi Këshillit të Ministrave.

Nis bashkëpunimi me vendet perëndimore

Në prag të Kongresit të 6 të PPSh, mbërritën 26 “Volvo” nga Suedia, me një vlerë nga 350-400 mijë dollarë, që u blenë në Austri. Nëntë prej tyre ishin tip 104 të mëdhenj, të ngjashëm me “Benz”-at, dhe ato normale tip 144. Pjesa tjetër makina italiane Fiat 125, dhe më pas Fiat prodhim polak, rreth 30 copë, që u vonë në dispozicion për zv/ministra. Miq të partisë, administratorë, kryetar të partive të vendeve demoktratike priteshin me “Volvo”.

Xheladin Sengla
Xheladin Sengla

Jo vetëm vetura, por edhe autobusë?

Në park kishim tetë autobusë, katër prej të cilëve çekë, të mëdhenj “Suarel”. Dy të tjerë TAM, dhe dy FAP, marka jugosllave. Shërbenin për të dërguar jashtë shtetit grupet artistike, ansamble, skuadra sportive, kryesisht në vendet të afërta, ballkanike, gjithmonë me dy shoferë. Ose kur ato vinin në Shqipëri i merrnin në Rinas, apo në kufi. Kujtoj disa nga shoferët, Besim Celi, Shyqyri Gjuzi, Mihal Vathi, Petri Duka, Pëllumb Kamberi, Ruzhdi Pinari.

Një park me teknikë, shoferë të kualifikuar?

Aty kanë shërbyer kolaudatorë, mekanikë, elektro-auto, të aftë, si Diogjen Cani, Ruzhdi Cerma Abdulla Veshi, Fatmir Bodinaku, Leon Shkurti, Alaman Canga, Hamdi Hasa, Fatos Mullisi. Po kështu grupi me shoferë: Habib Vogli, Enver Kapo, Bashkim Vokopola, Petri Duka, Maksim Rada, Muharrem Kulla, Bilal Deliu, Nevruz Leka, Kastriot Krisafi, Xhavit Arbana, Skënder Dermani, Burhan Kastrati, Ibrahim Ibrahimi, Epir Luzi, Suat Dedja, etj

Si veprohej me automjetet që dilnin jashtë përdorimit?

Të gjitha ato që kishin plotësuar vitet e punës, dhe jo më të përshtatshëm për misionin, zëvendësoheshin me të reja. Me vendim qeverie një pjesë e tyre kalonin në rekuizitën e Kinostudios “Shqipëria Sot”. Një ndër to është përdorur te filmi “Në kërkim të tretit”, “Parullat”, Plumba mbi perandorin” për të cilin u përdor Kadallaku kabrolet i bardhë, i vetmi me atë ngjyrë, i blerë në Sarajevë..

Z. Sengla, jeni i vetëm, me shumë drejtorë?

Kam ndërruar disa drejtorë. Met Rexhepi, një nga themeluesit e parkut, pastaj Islam Keta, Xhavit Struga, Arjan Marxhelaku, Gëzim Spiro, Vanxhi Dedi, Met Starova, Trim Como. Numri, duke përfshirë shoferë, administratë, mekanikë, nuk ishte më shumë se 80 punonjës. Mjaft gra punonjëse në atë institucion Kishim një administratë, ku përfshihej dispeçeria, zyrat e financës ku shefe ishte Mira Kërçuku, punonjëse Edmira Pano. Rëndësi kishte magazina dhe magazinieret ishin gra, si Liljana Vila, Fatime Kraja. Ne kishim fond që pjesët e këmbimit t’i merrnim direkt nga Suedia, ndërsa për “Benz”-at i bënim sipas nevojave me porosi ndërmjet Alb-Impeks-Eksport.

Si trajtoheshin shoferët e atij parku?

Gjatë shërbimit, shoferi, trajtohej me ushqim të veçantë, edhe për rrezikun e një helmi, etj. U rekomandohej qëndrimi në shtëpitë e oficerëve, si hotele më të sigurta. Paga mujore e një shoferi varionte sipas patentave, benzinë, naftë, rreth 7.500- 8.500 lekë. Për shërbimet ata merrnin 25 për qind me shumë, kjo edhe për mekanikët. Plus dietat. Në veçanti për ditët që punonin me anëtarët e byrosë merrnin një pagë ekstra. Për Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun nuk kishte dublime, se ata kishin shoferët e tyre, një grup më vete

Edhe një grup i veçantë që shërben aty

Kishim 6 motorë të policisë rrugore “Moto Guzi” 500cc të rinj të ardhur nga Italia. Zgjidheshin trupa, fizikë, të përgatitur, nga më të mirët që shoqëronin kolonën, veturën ku ishin udhëheqësit. Ndër to Edmond Mece, Sabah Seseri, Luan Shehu, Vasil Dhoqina, Vasail Papathimiu.

Ju kujtohet, ndonjë detaj specifik në ato pritje?

Kujtoj se me automjetin që u prit Krushovi, shofer ka qenë Skënder Ndroqi me “Ziz 110” të hapur. Me Cun En Lain, shofer ka qenë Premtim Xhemali, edhe ky me “Ziz 110” të hapur.

Po kështu edhe me Van van Dok, Presidentin e Vietnamit. Norodom Sihanuk me gruan, janë pritur po me automjetin tip “Ziz 110” të mbyllur, me shofer Petrit Gërcaliun. Mjafton t’u referohesh fotove të kohës dallohen automjetet, sheh markat dhe tipet, verore apo dimërore.

Instruksionet, cilat ishin ato më të rëndësishmet?

Të gjithë shoferët e parkut duhej të tregoheshin të kujdesshëm, që të mos komunikonin, të ndërhynin në bisedat e tyre, kjo me të huajt, por edhe shqiptarët. Jo duhan, asnjë sjellje e pahijshme, me një paraqitje të jashtme të pastër, të ruajtur, të qethur. Ata ishin të pajisur me kostume uniformë të dhënë nga qeveria.

Edhe Shtraus, në historinë e atij parku

Ka qenë viti 1984. Të veshur me rroba verore, me dy xhipa veror “Mercedez”, Shtraus, me grupin e tij, Drejtorin e Departamentit të “Benz”-it “Mercedez” erdhën në kufi. Në Han të Hotit, kishim dalë për t’i pritur. Shtrausi me mikun e tij hipën në “Benz”-at 300 tonët me shoferë Ruzhdi Vathi, Gëzim Vrapin. Shëtitën në Shqipëri dhe nga Gjirokastra, para se të largoheshin për në Greqi, kur i dorëzuam makinat e tyre, i ndezën, panë karburantin, plot. Ja kishim furnizuar nga ne. U habitën.

Vijnë amerikanët e parë, duhet angazhim me to

Pas 90-tës, me ardhjet e para të përfaqësuesve të shtetit amerikan, një ndër ta ishte Raison, më vonë edhe ambasador. Gjithë kohën si shofer personal punoi Petrit Pullazi. U përzgjodh edhe nga fakti se fliste pak anglisht. Paraprakisht në mjaft raste ata interesoheshin cilët ishin shoferët e caktuar, dhe ne prezantonim më të mirët. Dëshironin shoferë me staturë të mirë, fizik të fortë, njerëz të fuqishëm dhe me paraqitje. Mundësisht me gjuhë të huaj dhe mjaft shoferë nisën kurse e gjuhës angleze. Po kështu edhe protokollin për makinat, tregonin interes dhe kujdes.

Edhe një mjek i njohur, bashkë me Rugovën, Bukoshin klientë sistematik?

Mjeku i njohur francez Pol Miliezi, gjatë qëndrimit në Tiranë kur vinte për të vizituar Enver Hoxhën, kur ai ishte i sëmurë, e prisnim në Rinas me automjetet tona. Po kështu edhe Ibrahim Rugovën, Bujar Bukoshin, kosovarët e njohur, në Rinas, apo në kufi, i jepnim automjetet të mira me shoferët Skënder Dermanin, Habib Voglin.

Më folët për një situatë të vështirë

Kur në Tiranë erdhi Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Lamberto Dini. Gusht i 1997, sapo kanë ndodhur ngjarjet e 97-tës, pasiguri e madhe, e kemi pritur në Rinas, dhe për mua, drejtorin e Parkut Mehmet Starova, ka qenë një situatë e vështirë. Qëndruam me stafin, deri sa ai mbaroi bisedimet në Kryeministri. As polici, as rend, vetëm disa ushtarë të gradës. Atë natë erdhi, atë natë u largua.

Një kancelar gjerman vjen në Tiranë

Gerard Shreder, viti 1999, mbërriti me avion në Rinas, bashkë me një grup të madh personalitetesh. Me helikopter shkoi në bazën ushtarake, pastaj zbriti te sheshi te Pallati i Brigadave. Aty pa makinën, një “Benz 600” të Hoxhës, atë jashtë serie. E nikeluar, shkëlqente, u befasua. E preku me dorë te parafangoja, si shenjë aprovim. Shofer ka qenë Gëzim Vrapi.

Berluskoni, hera e parë në Shqipëri

Viti 2002, vjen Silvio Berluskoni, kryeministri i Italisë. Në Rinas e pritëm me një “Benz Mercedez 380”, dikur i Ramiz Alisë, i blinduar në mënyrë artizanale në Austri. Pas 90-tës, disa mjete të anëtarëve të Byrosë Politike, i sollën në parkun tonë, të tjerat iu dhanë deputetëve. U përdor pak sepse ishte shumë i rëndë, nuk e mbanin amortizatorët. Shofer ishte Gëzim Vrapi, por në Rinas, makinën e morri shoferi i Fatos Nanos që shoqëronte Berluskonin.

Nga Marinela te Scorpion-sat

Gjatë udhëtimit, koncerteve në saj në Shqipëri më 19977, këngëtaren greke Marinela me grupin e saj ka lëvizur me autobusët FAP, pasi të tyren e lanë në kufi. Po kështu edhe këngëtarin grek Janis Parios. Ndërsa, kur në Tiranë në qershor të 2001, erdhi grupi muzikor gjerman me famë Scorpion, I vumë në dispozicion sërish “Benz”-in “600” të Hoxhës. Shofer ka qenë Diturim Mejdani. Dhanë një koncert madhështor në stadiumin “Dinamo”.

Edhe mjaft skuadra të njohura pjesë e shoqërimeve tuaja

Nga Irlanda e Veriut, Gjermania Federale, Jugosllavia, Këln, Norceping, Ornasoda, Jugoplastika, Zevzda, Starndarti, Ajaksi, Austria, Belgjika, Spanja, Franca, Skocia, Anglia, e shumë të tjera, janë pritur me autobuzët tanë. Aty kanë hipur nga Best, Bekenbauer, Myler, Krujf, te Platini, Rumenige, e shumë të tjerë. Përdoreshin autobuzët Fat, Tam, të mjaftueshëm për një skuadër.

Keni një rast, që të krijonte shqetësim për shtetin?

Asnjëherë të ketë pasur problem në shoqërime. Në rastet kur delegacioni ishte në kolonë, pra mbi 5,6 automjete, pas tyre qëndronte një veturë rezervë, deri edhe mjekë, teknikë, mekanikë dhe autoboti me benzinë.

Z. Sengla, një jetë në atë park, çfarë ndodhi pas 90-tës me të?

Kujtoj se janë tre momente të rëndësishme që ai park, ato makina i shpëtuan shkatërrimeve, si më 1990, 1997 dhe përmbytjes nga ujërat e liqenit. Pati tentative nga qeveritë, për ta ruajtur, duke shërbyer vetëm për delegacionet, personalitetet kryesore, sepse kishte ende strukturën. Më pas me zvogëlimin e aktivitetit u bënë shkurtime, mjetet u privatizuan nga shoferët që i kishin në ngarkim. Jam informuar se edhe sot atë destinacion ka.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura