TIRANE – Task-Forca e ngritur dy ditë më para nga Antikrimi Ekonomik dhe Policia Tatimore për verifikimin e argjendarive që blejnë flori të vjedhur, ka nisur nga puna që prej mëngjesit të djeshëm. Dy argjendarë janë çuar për ndjekje penale, pasi gjatë kontrolleve të ushtruara në vendet ku ushtronin aktivitetin, janë konstatuar mangësi në dokumentacionin që duhet të shoqërojë floririn që tregtohet. Burime zyrtarë të Policisë së Tiranës thanë dje se pranë sheshit “Skënderbej” u kapën dy shtetas ndaj të cilëve filloi procedim penal, për “tregtim të mallrave kontrabandë”. Mësohet se ka nisur procedimi penal për 48-vjeçarin Fatmir Shefqet Pllaha, pasi gjatë kontrollit iu sekuestruan mallra që dyshohet se janë kontrabandë, kryesisht bizhuteri floriri. Në momentin e ndalimit iu gjet një peshore elektronike, që përdoret për të peshuar bizhuteri, një makinë llogaritëse, një lupë e vogël, një copë xhami e zezë, dhe një sasi e konsiderueshme floriri. Sipas burimeve, një pjesë e madhe e floririt të sekuestruar dyshohet të jetë shitur nga grabitësit, pasi e kanë vjedhur me dhunë në vende të ndryshme. Gjithashtu ka nisur procedim penal edhe për një tjetër tregtar floriri, shtetasin Petrit Shuaip Tota, 40 vjeç, sepse është kapur në flagrancë duke tregtuar mallra që dyshohet se janë kontrabandë, kryesisht bizhuteri floriri. Në momentin e kapjes, edhe atij iu gjet një peshore elektronike, lupë zmadhuese dhe karta të ndryshme rimbushëse të kompanive celulare. Në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës thuhet se “janë kryer një sërë kontrollesh në njësitë e tregtimit të artikujve të floririt, duke sekuestruar të gjithë sasinë e artikujve të floririt që nuk shoqërohet me dokumentacionin përkatës dhe proceduar të gjithë personat që do të rezultojnë me shkelje”.











