Durrësi përmbytet nga shiu i majit, 255 shtëpi nën ujë

May 5, 2011 | 9:44
Një prej lagjeve të përmbytura dje në Durrës

Shiu i majit përmbyt Durrësin. Mosfunksionimi i hidrovorit ka bërë që lagjet e qytetit të gdhihen nën ujë, duke shënuar një numër të madh banesash të dëmtuara.Rrebeshi i shiut, i cili nisi të binte rreth orëve të para të mëngjesit, ka gjetur të papërgatitur Bordin e Kullimit, i cili nuk ka marrë masa për të vënë në punë elektropompat e hidrovorit e, për pasojë, ai është nxjerrë jashtë funksioni. Duke menduar se reshjet do të ishin kalimtare dhe nuk do të kishte probleme, drejtuesit e Bordit të Kullimit kanë qëndruar indiferentë. Por, rrebeshi i shiut, i cili binte pa pushim për orë të tëra, krijoi një situatë mjaft të rëndë. Sipas ekspertëve të cilët monitorojnë situatën në terren, si pasojë e reshjeve të shiut janë përmbytur rreth 255 banesa. Ekspertët bëjnë të ditur se zonat më të prekura nga përmbytja janë zona e ish-Kënetës, Porto-Romanos dhe ajo e Spitallës. Reshjet e dendura të shiut, që vërshuan në qytet dhe në zonat periferike, kanë bllokuar rrugët dhe kanë rënduar tej mase situatën. Ndërsa situata ka dalë jashtë kontrollit dhe niveli i ujit arrinte deri në një metër, drejtuesit e Bordit të Kullimit kanë ngritur duart lart. Ata janë justifikuar me faktin se nuk kanë mjetet e nevojshme për të përballuar situata të tilla, duke vënë në përdorim elektropompat në orët e mëngjesit. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe kanë qenë vetë banorët të cilët janë munduar që me mjete rrethanore të evitonin sa të mundnin vërshimin e ujit. Sipas banorëve, dëmet materiale janë të shumta. Ata thonë se kanë luftuar për më shumë se 6 orë që ujërat e shiut të mos depërtonin në banesat e tyre. “Të gjithë natën e kemi kaluar duke hapur kanale e bërë prita, në mënyrë që të pengonim sadopak ujërat të cilat vinin me shpejtësi në drejtim të banesave. Nga ora një e deri në mëngjes nuk kemi pushuar për asnjë minutë, por ishte e pamundur që të ndalnim ujërat të mos futeshin në banesa. Sikurse e shihni edhe vetë, në të gjithë lagjen niveli i ujit e kalon një metër. Katet e para të banesave janë të gjitha të përmbytura. Larguam sa mundëm disa mobilie, por ato që kanë ngelur janë mbuluar nga balta”, u shpreh Bekim Kuçi, banor i Lagjes 19.

Akuzat e kandidatëve

Situata tejet e rënduar në qytetin bregdetar ka nxjerrë në terren dy kandidatët për kryetar Bashkie në Durrës. Kandidati demokrat, Ferdinand Xhaferaj, ka qenë në zonën e ish-Kënetës, nga ku ka akuzuar rivalin e tij Vangjush Dako për situatën e krijuar. I veshur me çizme, duke takuar banorët Xhaferaj ka thëne se “ky është Durrësi që Vangjush Dako po dorëzon. Për katër vjet Vangjush Dako nuk ka menduar asnjë sekondë për këta banorë që gjenden në situata të tilla sa herë që ka reshje”. Ndërsa Dako, nga zona e Plazhit ia ka faturuar dëmet Bordit të Kullimit, që sipas tij duhet të kishte marrë masa për të shmangur përmbytjen.

 

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura