Shkëputet mëngjesin e sotëm me mbi 2 mijë vota kandidati socialist, Vangjush Dako, karshi atij demokrat, Ferdinand Xhaferaj.Ndërsa ishte numëruar kutia e 123-të nga 162 gjithsej, Dako kishte 25.904 vota, ndërsa Xhaferaj 23.584. Përballja e Durrësit është ende larg rezultatit final dhe si asnjëherë tjetër procesi i numërimit të votave për Bashkinë e qytetit-port ka kaluar ditën e katërt, që nga përfundimi i zgjedhjeve të 8 majit. Vetëm sot parashikohen rezultatet zyrtare të KZAZ-së numër 8 për kryetarin e Bashkisë së Durrësit, ku konkurrojnë Vangjush Dako për PS dhe Ferdinand Xhaferaj për PD. Dako ka kryesuar gjatë 24 orëve të kaluara me një diferencë që ka shkuar deri në 2000 vota më shumë sesa Xhaferaj, duke e afruar drejt mandatit të dytë. Kutitë e numëruara në Pallatin e Kulturës, të cilat do të vendosin për mandatin e kryetarit të Bashkisë së Durrësit, kanë treguar se Dako është më i favorizuar, pasi nga kutia në kuti rezultati sa vjen dhe thellohet më tej. Thuajse gjatë gjithë kohës, kandidati socialist Dako ka ecur përpara me një diferencë, e cila ka varijuar nga 1500 deri në 2000 vota. Edhe në zonën e ish-Kënetës, e cila konsiderohet si bastion i së djathtës, Dako ka arritur të marrë një rezultat të kënaqshëm dhe që ishte i papritur për kampin demokrat, i cili priste hapjen e shtatë kutive të fundit të saj për të ngushtuar rezultatin. Zona e ish-Kënetës dhe ajo e Plazhit kanë sjellë zhgënjimin më të madh në këto zgjedhje për demokratët. Gjatë ditës së djeshme, komisionerët e djathtë kanë ndërprerë punën, me pretendimin se janë lodhur, por në fakt ata janë bërë pjesë e një analize, të cilën demokratët e kanë organizuar në mënyrë emergjente. Sipas kreut të KZAZ-së, numëruesit e koalicionit “Aleanca për qytetarin” e ndërprenë procesin në orët e para të së mërkurës dhe e rifilluan në orën 14:00. Për kreun e KZAZ-së, Zhyljen Varfi, kjo ndërprerje ishte më e gjatë se ç’duhej, ndonëse gjithçka mund të zgjidhej me vullnetin e të dyja palëve. “Kjo ndërprerje e ka vonuar procesin dhe mendoj se ky problem kishte mundësi të kapërcehej me vullnetin e nënkryetarit, Doklead Ademi të PD-së, por nuk ndodhi kështu. Sekretari KZAZ nuk zbatoi ligjin dhe u largua së bashku me numëruesit e njërës palë. Kjo përbënte shkelje. Unë provokova mbledhjen e KZAZ, ndërsa nënkryetari Ademi nuk bëri të njëjtën gjë. Mendoj se këtu ka ndikuar edhe rezultati i kandidatit Xhaferaj, i cili sikur ka demoralizuar deri diku numëruesit e tij, për shkak të diferencës së krijuar deri në 700-800 vota larg nga kandidati Vangjush Dako”, shprehet për gazetën Varfi.
Keshilli
Partia Demokratike së bashku me dy aleatët e saj, LSI e PDIU, pritet të kenë shumicën e këshillave bashkiakë në Durrës, Sukth, Fushë-Krujë, Krujë, Manëz dhe në komunat Xhafzotaj, Rrashbull, Katundi i Ri, Thumanë. Partia Socialiste ka arritur të fitojë bindshëm në Shijak, Fushë-Krujë, Maminas dhe Ishëm.
Bashkia e Durrësit ka 45 karrige për këshilltarë dhe pritet që këto tri forca së bashku me aleatët e vegjël të tyre të marrin rreth 27-30 këshilltarë, duke e lënë PS në minorancë.
Shijaku rozë, PS fiton për herë të tretë
SHIJAK – Indrit Buka është kryetari i ri i Bashkisë së Shijakut. Bashkia me një popullsi prej rreth 15 mijë banorësh është fituar nga kandidati i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”, Indrit Buka. Socialisti Buka fitoi me 274 vota më shumë, kundrejt kandidatit të zgjedhur nga e djathta, Afrim Brahimaj. Numërimi i kutive për Bashkinë e Shijakut ka përfunduar në orët e para të mëngjesit, ndërkohë, një avantazh i lehtë i Indrit Bukës është vënë re që me hapjen e kutive të para. Indrit Buka ka qenë në mandatin e kaluar nënkryetar i Bashkisë së Shijakut, gjatë katër viteve të fundit që ajo u drejtua nga Afërdita Alite, e zgjedhur në vitin 2007. Indrit Buka mori në total 2544 vota, ndërsa Afrim Brahimaj 2270 vota. Fitorja e Bukës shënon të tretën radhazi për socialistët në Bashkinë e Shijakut.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











