
Këtë sezon, plazh të pastër. 9.8 milionë euro për projektin
Në sezonin e ri turistik nuk do të derdhen më ujërat e zeza në det, duke e hequr kështu bregdetin e Durrësit nga harta e plazheve më të ndotura. Investimi për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza në zonën e Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit tashmë ka hyrë në një fazë konkrete. Pas përfundimit të impiantit të përpunimit të ujërave të larta, i cili është ndërtuar në Shën Vlash, ka nisur puna për shtrirjen e rrjetit të tubacioneve të ujërave të zeza përgjatë vijës bregdetare që nis nga Golemi në drejtim të zonës së plepave. Kjo do të mundësojë grumbullimin e ujërave të zeza të objekteve të ndërtuara në zonën turistike, për t’u dërguar në impiantin e përpunimit në Shën Vlash. Pasi të përpunohen, do të derdhen në det, por këtë radhë uji është i pastër. Sipas specialistëve, brenda muajit shtator të këtij viti, në të gjithë vijën bregdetare të Durrësit do të ketë përfunduar sistemimi dhe disiplinimi i ujërave të zeza. Kjo është bërë e mundur në sajë të investimit të nisur disa muaj më parë dhe që vijon të shtrihet në të gjithë Durrësin. Për të finalizuar projektin janë akorduar nga Bashkimi Europian 9.8 milionë euro, projekt ky që do t’i japë zgjidhje një herë e përgjithmonë derdhjes së ujërave të zeza në det. Vitet e fundit, bregdeti i Durrësit është cilësuar si më i ndoturi në të gjithë Shqipërinë dhe për këtë arsye, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve ka klasifikuar si të rëndësishëm investimin në projektin e përpunimit të ujërave të zeza, sidomos në zonat turistike. Tashmë që impianti i përpunimit ka përfunduar, ka nisur ndërtimi i kanalizimeve të ujërave të zeza në të gjithë gjatësinë e bregdetit. Projekti ka nisur të zbatohet në disa drejtime, duke bërë që në thuajse të gjitha anët e Durrësit të hapen kantiere të tilla. Kështu, tubacione të dimensioneve të ndryshme, që variojnë nga 80 mm deri në 700 mm, janë shtrirë nga Përroi i Agait deri te Shkëmbi i Kavajës. Ndërkohë, një tjetër segment i rrjetit të ujërave të zeza nis te Plepat dhe shkon drejt Urës së Dajlanit. Sipas inxhinierëve të zbatimit të projektit, pas përfundimit të të gjitha fazave, ujërat e zeza do të shkarkohen të gjitha në landfillin e Shën Vlashit. Në këtë impiant, uji pasi t’i nënshtrohet procesit të pastrimit, nuk do të ketë asnjë ngarkesë mikrobiologjike. Investimi është klasifikuar si shumë i rëndësishëm për mjedisin në brezin e rërës e në det, si dhe në lagjet e Durrësit.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.al











