Me shpejtësi, një makinë përplaset me pemën, tjetra me shtyllën
Dy aksidente, një me pasojë vdekjen dhe tjetri me pasojë plagosjen e rëndë të pesë personave, kanë ndodhur brenda një harku prej tri orësh në Durrës. Aksidenti me vdekje është shënuar në aksin Durrës-Shkozet. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vendin e quajtur “Rotondoja e Shkozetit”, kur 35-vjeçari Fredi Shaba, banues në Durrës, ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij tip “Nissan”, me targë AA289 AA. Blutë e Durrësit bëjnë të ditur se 35-vjeçari ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe është përplasur me një pemë të rrethuar me beton. Për pasojë, ka gjetur vdekjen e menjëhershme drejtuesi i mjetit. Vetëm tri orë më vonë, jo shumë larg vendit ku ndodhi aksidenti në segmentin rrugor Ura e Dajlanit-Plepa, është regjistruar aksidenti me pesë të plagosur, dy prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia tha se “gjatë kohës kur drejtonte automjetin tip ‘Volksëagen’ me targë CS 704 HE, shtetasi Eugert Tako, 27 vjeç, banues në Lushnjë, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit duke u përplasur me një shtyllë”. Si pasojë e përplasjes së fortë, ka marrë dëmtime vetë drejtuesi i mjetit dhe katër pasagjerët e tij, të cilët janë dërguar në spitalin e Durrësit për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Nga bluzat e bardha mësohet se dy prej të aksidentuarve, drejtuesi i mjetit, Eugert Tako dhe njëri nga pasagjerët, Përparim Tahiri, ndodhen në rrezik për jetën, ndërsa tre të tjerët, A. Agolli, 25 vjeç, V. Tako, 27 vjeç, dhe D. Gaboci, 29 vjeç, që të gjithë banorë të Lushnjës, janë jashtë rrezikut për jetën. Policia e Durrësit bëri të ditur se ka nisur hetimet për të dyja ngjarjet e rënda. Paraprakisht, ekspertët e Qarkullimit Rrugor që kanë kryer veprimet në vendet e ngjarjeve kanë konstatuar se në të dyja rastet e aksidenteve, drejtuesit kanë qenë me shpejtësi jashtë normave të lejuara. Kjo dyshohet të ketë shkaktuar edhe aksidentet, njëra me pasojë vdekjen dhe tjetra plagosjen e pesë personave. Ngjarjet që ndodhën në harkun e tri orëve shkaktuan edhe trafik, sidomos te “Rotondoja e Shkozetit”, aks në të cilën ka qarkullim të shumtë të mjeteve. Dyshohet se veç shpejtësisë, në vendet e aksidentit mund të ketë pasur edhe prezencë akulli, çka e ka bërë të pamundur manovrimin e shpejtë nga ana e drejtuesve të mjeteve.
DURRES/ LEONIDHA MUSAJ
© Panorama.alFIER: Aksidenti, shtrëngohen masat në rrugë
FIER – Pas ngjarjes së rëndë të tri netëve më parë, ku 22-vjeçari Fatjon Habilaj përplasi për vdekje tre të mitur, Policia e Qarkullimit Rrugor në Fier ka shtrënguar masat për drejtuesit e automjeteve. Drejtori i Qarkullimit, Gëzim Gosturani, u shpreh se për reduktimin e numrit të aksidenteve në rrugët e qarkut janë vendosur postblloqe me efektivë policore që kontrollojnë çdo automjet që shkel rregullat e qarkullimit rrugor. Sipas tij, ky plan masash nuk do të jetë thjesht dhe vetëm një aksion, por do të vijojë përgjatë të gjithë kohës. Ndërkaq, grupi i hetimit në Fier po heton nëse 22-vjeçari ka qenë nën efektin e substancave narkotike. Ky dyshim është ngritur duke u bazuar te gjendja e paqëndrueshme e të riut. Për këtë arsye, dje të arrestuarit i janë marrë edhe kampion gjaku për të verifikuar nëse ekziston një mundësi e tillë. Sot, autori i aksidentit të rëndë që mori jetën e një 17-vjeçari dhe të dy fëmijëve, 12 dhe 15 vjeç, pritet të dalë para trupit gjykues nga ku do t’i komunikohet masa e sigurisë. m.r











