DURRES- Policia e Durrësit arrestoi në flagrancë dy 60-vjeçarë, ndërsa po heton pesë persona të tjerë nën akuzën e “prostitucionit në rrethana rënduese”. Sipas Policisë, të ndaluarit janë shtetasit Nadmir Mehmeti, 60 vjeç, i cili bashkëjetonte me shtetasen me iniciale L.V. e së njëjtës moshë. Ndërkohë pesë shtetasit e tjerë janë 4 gra dhe një i moshuar që kryente marrëdhënie me to. Sipas Policisë, ato janë shtetaset L.Xh., 50 vjeçe, banuese në Durrës, K.K., 64 vjeçe, banuese në Durrës, L.M., 53 vjeçe, banuese në Shkodër, Q.Sh., 55 vjeçe, banuese në Shijak dhe A.S., 70 vjeç, banues në Durrës. Ky i fundit po hetohet në gjendje të lirë si klient. Pesë gratë, të moshës nga 50 deri 64 vjeçe, ushtronin prostitucion në banesën e shtetasit Nadimir Mehmeti. Ky i fundit së bashku me të dashurën e tij me të cilën edhe bashkëjetonte, i shfrytëzonte gratë e ardhura nga vende dhe rrethe të ndryshme të vendit të ushtronin prostitucion kundrejt një pagese prej 200 deri 500 lekësh. Nadmir Mehmeti dhe 60-vjeçarja me iniciale L.V., përveç ambienteve, siguronin edhe klientët, njëri prej të cilëve ishte 70 vjeçari. Policia kishte informacion se në banesën Mehmetit ushtrohej prostitucion, ndaj organizuan një operacion për goditjen e këtij fenomeni, i cili është përhapur në masë të gjerë në qytetin bregdetar, sidomos në këtë periudhe. Gjatë aksionit të zhvilluar në banesën e Mehmetit, policia kapi në kushtet e flagrancës plot shtatë persona, 5 gra dhe 2 burra. Vetëm dy 60-vjeçarëve u janë vënë prangat, pasi 4 prostitutat e tjera dhe klienti 70-vjeçar po hetohen në gjendje të lirë. Sipas dëshmisë së këtyre të fundit, 200 deri në 500 lekë ishte çmimi që kërkonte Mehmeti nga klientët, në mënyrë që t’u siguronte atyre një nga gratë që shfrytëzonte për prostitucion. 60-vjeçari shfrytëzonte banesën e tij, e cila ndodhet në lagjen Nr. 17 të qytetit. Policia kishte siguruar informacion të detajuar se ç’ndodhte në banesën e tij. Një gjë e tillë ishte vënë re dhe nga fqinjët, të cilët janë bezdisur nga hyrjet dhe daljet e personave të ndryshëm gjatë gjithë ditës në pallatin e tyre. Në këto kushte, policia organizoi dhe aksionin për kapjen e të zotëve të shtëpisë. Mësohet se çifti i 60-vjeçarëve bashkëjetonin që pas divorcit të të dyve. l.m











