Durrës, ekzekutohet biznesmeni tiranas me silenciator, Gentian Zguri

Nov 13, 2011 | 11:11

Gentian Zguri (Gashi), foto e marrë nga facebook

Gentian Zguri (Gashi) qëllohet në mes të ditës me një plumb në kokë. Po ndërtonte një kompleks turistik në zonën e Qerretit.

Eliminohet në një atentat mafioz biznesmeni tiranas. Gentian Zguri (Gashi), pronar i lokalit të njohur “Rock&Roll” në kryeqytet dhe i një kompanie private për ashensorë dhe shkallë lëvizëse, u qëllua me një plumb në kokë në mes të ditës, në qytetin e Durrësit. Megjithëse krimi ndodhi përballë godinës së Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, në rrugën “Skënderbej”, një zonë e frekuentuar në orën 12:45, askush nuk e ka parandier krimin. Vetëm kur viktima është rrëzuar përtokë, pas një zhurmë të mbytur, dëshmitarët kanë kthyer kokën të shihnin se një person me armë në dorë po largohej me shpejtësi. Policia ka identifikuar shumë shpejt viktimën 35-vjeçar, i lindur dhe banues në Tiranë. Burime policore bëjnë të ditur se autori i ngjarjes ka përdorur një armë me silenciator për të ekzekutuar viktimën e tij, ndërsa mësohet se në vendngjarje nuk është gjetur asnjë gëzhojë. Mendohet se arma me të cilën është qëlluar Gentian Zguri ishte me mulli. Autori dyshohet si vrasës me pagesë për shkak dhe të precedentit për trafik droge të viktimës. Çështja ndërlikohet më shumë për hetuesit, pasi mësuan se biznesmeni u ekzekutua rreth dy muaj pasi ai kishte blerë një sipërfaqe të konsiderueshme toke në bregdetin e Kavajës.
Vrasja
Sipas Policisë, gjithçka ka qenë e paramenduar. Dyshohet se ekzekutuesi e ka ndjekur viktimën që nga Tirana dhe e ka qëlluar sapo ka gjetur momentin e përshtatshëm. Mendohet se autori mund të këtë qenë i shoqëruar dhe e ka ndjekur atë nga pas me një mjet tjetër dhe sapo ka konstatuar se viktima ka parkuar makinën dhe ka dalë jashtë saj, autori ka zbritur nga makina. Ai është përballur me 35-vjeçaren dhe pasi ka shkëmbyer pak fjalë e ka qëlluar një herë të vetme, për t’u larguar nga vendi i ngjarjes në këmbë, ndërsa mund të jetë pritur nga bashkëpunëtori i tij disa metra më tutje. Mjekët ligjorë thanë se Zguri është qëlluar nga një distancë fare e afërt, ndërsa plumbi e kishte marrë në syrin e majtë. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie si dhe vetë kryekomisari Aleks Hajdari, i cili së bashku me ekspertët kanë nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të vrasjes. Sipas dëshmive që policia ka arritur të mbledhë në vendin ku ka ndodhur krimi mësohet se 35-vjeçari është qëlluar nga një person i vetëm në momentin që viktima sapo kishte parkuar automjetin e tij tip “Volkswagen” me targë AA 672 AB dhe po lëvizte më këmbë. Ekspertët e kriminalistikës thanë se plaga në kokë e shkaktuar vetëm nga një plumb ka qenë vdekjeprurëse për 35-vjeçarin, i cili ka ndërruar jetë vetëm pak sekonda pasi është qëlluar. Menjëherë pas ngjarjes efektivat e rendit kanë ngritur postblloqe të shumta në akset kryesore të qytetit të Durrësit, ndërsa rruga në të cilën ndodhi ngjarja e rëndë qëndroi e bllokuar përreth 3 orë, me qëllim mbledhjen e të gjitha provave të mundshme në vendngjarje.
Hetimet

Viktima, Gentian Zguri, pas ekzekutimit dje në Durrës

Policia e qytetit bregdetar bën të ditur se viktima njihej si person me precedent penal, pasi më herët ishte dënuar nga shteti italian për trafikim të lëndëve narkotike. Të njëjtat burime pohojnë se ekzekutimi i 35-vjeçarit është kryer nga profesionistë, duke konfirmuar dyshimet për një vrasës me pagesë. Pista kryesore mbi të cilën po hetojnë blutë e Durrësit është ajo e larjes së hesapeve, pasi viktima ka qenë dënuar më parë për trafik droge, ndërsa dyshohet se mund të ketë pasur lidhje me këtë çështje dhe në Shqipëri. Kjo është njëra nga pistat e grupit hetimor, por nuk përjashtohet ajo e ekzekutimit për motive pronësie. Biznesmeni i njohur në Tiranë kishte blerë në zonën bregdetare të Qerretit në Kavajë një sipërfaqe të konsiderueshme toke, me qëllim ndërtimin e një kompleksi gjigant. Prej dy muajsh kishte blerë tokën në këtë zonë, megjithatë ende nuk kishte përfunduar punë me dokumentet. Ditët e fundit kishte kryer shpesh lëvizje drejt Durrësit, kur të njohurit e tij e dinin se ai udhëtonte për “çështje letrash”. E gjithë kjo ka shtyrë hetuesit t’i mëshojnë dhe pistës së një krimi për pronësi, nisur dhe nga fuqia financiare që kishte Zguri.

Vendi i krimit
Duke u bazuar në dyshimin se vrasësi është me pagesë, Policia e Durrësit pohon se dhe vendi i krimit është përzgjedhur për të humbur gjurmët. Sipas autorëve, krimi mund të realizohej më lehtë në qytetin e Durrësit. Gjatë ditës së djeshme në polici janë shoqëruar rreth 20 persona, thuajse të gjithë dëshmitarë në vendin e vrasjes dhe jo të dyshuar për krimin.

Autori
Sipas dëshmitarëve, të cilët kanë qenë pranë vendit të krimit, autori ishte i gjatë 180 cm, rreth të tridhjetave dhe kishte veshur rroba të zeza, ndërsa në kokë kishte vendosur një kapele. Ai ka lëvizur nëpër rrugicat e zonës ku ndodhi krimi, ku një pjesë e tyre mund të depërtohen lehtësisht në këmbë, pasi nuk lëvizin dot as makinat. Sipas Policisë, dyshohet se autori është vrasës me pagesë.

Miqtë: Kishte ëndërr të ndërtonte një ambient hardrock
Gent Gashi bleu tokë në Qerret,  po ndërtonte kompleks gjigant

Kushdo që e njihte biznesmenin e njohur në Tiranë kishte dijeni për pasionin e tij për ambientet e rrokut. Prej vitesh në kryeqytet, pranë Rrugës së Elbasanit, ai menaxhonte biznesin e tij, me emrin “Rock&Roll”. Mësohet se gjatë verës, këtë biznes, me të njëjtin emër, ai e kishte shpërngulur në bregdet, në Qerret të Kavajës. Prej kohësh ai kishte shfaqur dëshirën te miqtë e tij për krijimin e një kompleksi të madh hardrock, por që nuk ishte realizuar. Duket se planet e tij ishin sërish në Qerret, ku nga burime konfidenciale të Policisë konfirmohet se më 19 shtator ai kishte kryer një blerje toke në një sipërfaqe të konsiderueshme. Në këtë tokë ishte nisur ndërtimi i një kompleksi turistik. Që nga muaji shtator, lëvizjet e tij drejt bregdetit, kryesisht Durrësit, kanë qenë të shumta. Duket se dhe udhëtimi i tij i djeshëm lidhej pikërisht me investimin e fundit. Të paktën këto janë dyshimet e ngritura nga policia pas dëshmive të personave që e njohin Gentian Zgurin (Gashin). Biznesmeni ka lënë Tiranën dje rreth orës 10:00, për të shkuar në qytetin e Durrësit, ku i është organizuar dhe prita fatale.

Policia bllokon dokumentet
Një pikë e fortë e hetimit për zbardhjen e vrasjes së Gentian Zgurit (Gashi), janë dokumentet e gjetura në makinën që drejtonte viktima. Burime të Policisë konfirmojnë faktin se brenda mjetit janë gjetur dhe sekuestruar si prova materiale letra të ndryshme që lidhen me firmën që drejtonte 35-vjeçari si dhe dokumente pronësie. Nisur nga dyshimet për një krim për çështje pronësie, këto materiale pritet të hedhin dritë shumë shpejt dhe të çojnë në identifikimin e autorëve. Në vendin e ngjarjes, pranë trupit të viktimës, janë gjetur dhe një palë syze dielli. Ato janë dërguar për ekspertizë në laboratorin kriminalistik për të konfirmuar nëse i përkasin viktimës apo autorit të krimit. Megjithatë, fakti që vrasja ishte mafioze ka pak gjasa që ekzekutori të ketë lënë gjurmët e tij në vendngjarje.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura