Durrës, bllokohen në port 300 kilogramë kanabis, kapet autori

Jan 10, 2012 | 11:03

DURRES – Ka tentuar të kalojë nëpërmjet Portit të Durrësit rreth 300 kilogramë drogë të llojit kanabis sativa, por ka rënë në prangat e policisë. Lënda narkotike u gjet gjatë një kontrolli policor në pikën kufitare të Portit të Durrësit mbrëmjen e së hënës. Policia, e cila kishte marrë informacion në rrugë operative, ka organizuar dhe operacionin për sekuestrimin e saj si dhe arrestimin e poseduesit të drogës. Burime nga policia kufitare bëjnë të ditur se droga u gjet gjatë kontrollit të ushtruar në një kamion me targa gjermane që do të nisej në Itali me tragetin e linjës Durrës-Bari, të ankoruar në Portin e Durrësit. Sipas Policisë Kufitare të Portit, substanca është gjetur e fshehur brenda automjetit, e ndarë në disa pako të mbështjella me natriban të tejdukshëm, në pjesën e sipërme të së cilës ishin vendosur lëndë të tjera që ky kamion transportonte. Gjatë bllokimit të drogës është ndaluar dhe drejtuesi i kamionit, 29-vjeçari Dashamir Lleshi, banor i Fushë-Krujës. Policia tha se mjeti po tentonte të udhëtonte drejt Italisë përmes tragetit të linjës Durrës-Bari, ndërsa si destinacion i drogës dyshohet të ketë qenë Gjermania. Ndërkaq nga ana e efektivave të Antidrogës si dhe grupit hetimor po hetohet lidhur me identifikimin e personave të tjerë, të cilët mendohet të jenë pjesë e këtij rrjeti. Pak ditë më parë, policia e Portit të Durrësit ndaloi një të ri, i cili po trafikonte 700 kg drogë drejt Italisë.                                            l.m

© Panorama.al

Te lidhura