Dule: Vasil Bollano, kandidaturë e përcaktuar për Bashkinë e Himarës

Mar 11, 2011 | 12:47

PBDNJ-ja konfirmon rikandidimin e Vasil Bollanos për Bashkinë e Himarës. Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Duke, shprehu dje mbështetjen e tij për Bollanon, në zgjedhjet lokale të 8 majit. Gjatë një konference për shtyp dhënë dje nga zyrat e PBDNJ-së, Dule theksoi se të gjitha akuzat e ngritura ndaj kreut aktual të bashkisë janë në gjykatë dhe nuk ka përfunduar ende procesi. “Për momentin që po flasim e diskutojmë për vendimet dhe përzgjedhjet e PBDNJ-së, kur të vijë momenti për forcat e tjera, do të shprehim edhe mendimet tona. PBDNJ-ja është në fazën e elaburimit të alternativave dhe përzgjedhjes së kandidaturave. Edhe pse u takon strukturave drejtuese në bashkëpunim me partnerët strategjikë, mund t’ju them se kandidatura e zotit Bollano është një kandidaturë e dhënë për Bashkinë e Himarës”, u shpreh Dule. Duke dashur të sfumojë akuzat e ditëve të fundit ndaj historisë së deformuar të Himarës të publikuar në faqen zyrtare të kësaj bashkie në internet, por dhe kërkesat për mosdeklarim vullnetar të kombësisë dhe fesë, Dule tha se politika duhet të fokusohet tek shqetësimet dhe interesat e qytetarëve.
“Duhet të kuptojmë të gjithë se duhet të jemi me këmbë në tokë. Politika duhet të jetë afër qytetarit, komunitetit dhe shqetësimeve të tyre. Duhet të mënjanojmë ato grupime që dëshirojnë të largojnë vëmendjen nga ky realitet. Në shtetin e së drejtës ka një zinxhir institucional, që shprehen nëpërmjet vendimesh e relacionesh dhe nuk mund të bëhen pre e trillimeve, qoftë edhe mediatike”, u shpreh Dule. Partia Socialiste do të dalë në Himarë me kandidat të saj, duke treguar në këtë mënyrë se nuk e mbështet kandidaturën e Bollanos, por PBDNJ-ja mbetet një aleat i saj në koalicionin opozitar. Socialistët do të kandidojnë të njëjtin kandidat që hodhën në garë edhe në 2003, e 2007, Gjergji Jorgo, i cili humbi përballë Vasil Bollanos. Ndërsa PD-ja ende nuk ka një kandidat përballë Bollanos.

© Panorama.al

Te lidhura