Ish-deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Ervin Salianji, gjatë një takimi me demokratë në Berat, deklaroi se vendi po përjeton një krizë të thellë sociale dhe politike, ndërsa akuzoi qeverinë për dështim dhe keqqeverisje.
Sipas tij, të rinjtë duan të ikin sapo u jepet mundësia, çka ai e cilësoi si “tragjedinë më të madhe të këtij regjimi”. Deputeti demokrat tha se shteti është kthyer në pronë private dhe se qytetarët ndihen të braktisur.
Salianji: Duket sikur shoqëria shqiptare është futur në një kafaz. Jemi mbledhur për këtë: për të folur për fatin e Shqipërisë, për vendin tonë të bekuar që sot është më i lodhur se kurrë. Për një vend ku të rinjtë, në momentin e parë që munden, duan të ikin dhe të largohen. Kjo është tragjedia më e madhe e këtij regjimi.
Kjo nuk është Shqipëria që meritojnë qytetarët shqiptarë. Shteti është kthyer në pronë private. Politikanë që duket se nuk kanë as dashurinë dhe as ndjeshmërinë më të vogël për vendin. Këtë e ndjen çdo qytetar në familjen e vet, në një ndjenjë të thellë braktisjeje.
Shqipëria po zbrazet nga dita në ditë dhe atyre që qeverisin nuk u vjen as turp. Madje krenohen me vjedhjet e radhës. Një maskarallëk.
Në çdo vend kemi takuar qytetarë, demokratë e socialistë, që nuk thonë asnjë fjalë të mirë për Edi Ramën. Të gjithë e dinë se kemi një qeveri që nuk e njeh realitetin e familjes shqiptare. Në fund të ditës, çfarë lehtësimi u ka ofruar Edi Rama shqiptarëve në këto 13 vite?
© Panorama.al











