Duka, 1 orë kokë me kokë me kroatin

Sep 6, 2011 | 11:31
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka qëndruar për rreth 60 minuta në kafe me trajnerin Josip Kuzhe dhe zëvendësin e tij, Xhemal Mustedanagiç, duke biseduar gjatë për situatën e ekipit kombëtar dhe, gjithashtu, rolin e lojtarëve. U duk qartë që trajneri Kuzhe ishte duke i përshkruar, sipas mendimit të tij, të gjithë futbollistët, përfshirë edhe problemet që mund të ketë ndonjë prej tyre në fushën e lojës, apo ndonjë pakënaqësi prej tyre. Meqenëse ekipi kombëtar tashmë është në një dilemë tepër të madhe, përsa i përket ndryshimeve që priten të bëhen. Sigurisht që bisedat e presidentit Duka dhe trajnerit janë të një rëndësie tepër të madhe. Presidenti ishte duke marrë opinionin e Kuzhesë dhe, njëkohësisht, edhe mesazhin se cilat priten të jenë ndryshimet që do të bëhen. Në fakt, dukej se thelbi ishte përqendruar te niveli i atyre që do të vazhdojnë të jenë pjesë e përfaqësueses, duke qenë se futbollistët, të cilët mund t’i japin fund karrierës me Kombëtaren, nuk janë shumë të ndikuar nga cilësia e tyre, sesa nga mosha e madhe që kanë. Por, duke theksuar faktin që bëhet fjalë për futbollistë me peshë të madhe në lojën e ekipit, është e domosdoshme që të rinjtë që pritet t’u zënë vendin, të jenë të gatshëm për të zëvendësuar denjësisht paraardhësit e tyre.

© Panorama.al

Te lidhura