Dueli i munguar

May 17, 2011 | 9:57

MUHARREM ÇOBO

Para disa ditësh po ndiqja një film mbi jetën e një kampioni në sportin e golfit. Në këtë film më bëri përshtypje një detaj. Gjatë ndeshjes, në një moment të caktuar, kur ky person ishte fare pranë fitores, duke rregulluar vendin ku topi i golfit kishte qëndruar pati një lëvizje milimetrike të topit.  Asnjë nga kundërshtarët apo arbitrat nuk e pa këtë lëvizje. Asistenti i tij, një djalë i vogël 12-13-vjeçar në moshë, i sugjeron të vazhdojë lojën, sepse lëvizja ishte shumë e vogël dhe askush nuk e kishte parë. Një moment reflektimi në mendjen e kampionit. Për një gabim pa dashje dhe shumë të vogël, po i ikte titulli kampion që ai aq shumë e kishte ëndërruar. Por ai vendos t’ia deklarojë gabimin e tij arbitrit dhe rivalëve të tij.
Për qëllimet e këtij shkrimi nuk ka rëndësi të tregohet si vazhdoi kjo garë dhe jeta e këtij kampioni.
I rëndësishëm dhe thelbësor është sensi i “fair-play”-t që ai përcjell. Detaje të tilla kavaliereske të duelit me rregulla të pastra gjenden në shumë filma dhe libra, sidomos të atyre me prejardhje anglo-saksone. Këto detaje më kanë ardhur në mendje gjatë këtyre ditëve, kur pothuaj gjithë opinioni publik shqiptar është përqendruar në procesin e numërimit dhe të nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
Duhet thënë se, fatkeqësisht, dueli në kulturën shqiptare nuk është një tipar që na karakterizon. Kjo mungesë e kulturës së duelit shprehet në shumë aspekte të jetës sonë. Ajo shprehet ndoshta në mënyrën më të qartë gjatë proceseve zgjedhore. Është thënë shpeshherë që rregullat dhe ligjet që rregullojnë zgjedhjet në Shqipëri janë nga më të detajuarat në botë. Sa herë që zhvillohen zgjedhje në Shqipëri, lindin debate politike dhe publike mbi nevojën e ndryshimeve të rregullave të lojës, ndryshime këto që shpeshherë kanë të bëjnë me shmangien e parregullsive dhe manipulimeve. Gjatë procesit të numërimit të votave për kryetar Bashkie të Tiranës, me gjithë rregullat e detajuara që ishin parashikuar, doli një problem tjetër, që për mua nuk është problem juridik i paparashikuar nga legjislatori, problemi i fletëve të votimit të gjendura në kutitë e gabuara. Ta shtrosh këtë çështje si problem që nuk gjen parashikim ligjor, është një absurditet jo thjesht ligjor. Pa përmendur paragrafë dhe nene të Kodit Zgjedhor mbi këtë çështje, do të doja të theksoja në radhë të parë një parim bazë të së drejtës me origjinë liberal-demokratike. Sipas këtij parimi, e drejta procesuale apo aspektet procedurale të një norme që rregullon një çështje të caktuar, janë në funksion të së drejtës substanciale, apo aspekteve thelbësore që kjo e drejtë apo normë juridike rregullon. Duke e parë çështjen e sipërpërmendur nga ky këndvështrim, zgjidhja e tij është shumë e thjeshtë. Në radhë të parë, Kodi Zgjedhor në asnjë paragraf të tij nuk parashikon se fletët e votimit të gjendura në kutitë e gabuara janë të pavlefshme. Është elementare të kuptohet se pajisja e qendrës së votimit me më shumë se një kuti votimi është bërë për efekt të lehtësimit të punës gjatë numërimit të votave. Të pretendosh që fletët e votimit të konsiderohen apriori të pavlefshme vetëm për këtë fakt, unë nuk e konsideroj vakum a mungesë ligjore, por mungesë të sensit të duelit. Është ndoshta momenti që pavarësisht hapave ligjorë që palët do të ndërmarrin, ato duhet të shprehen duke u nisur në radhë të parë nga parimet e duelit të pastër. Për të qenë objektiv, duhet thënë se palët duhet të shpreheshin që në fillim të procesit të numërimit në lidhje me këtë problem, i cili u ndesh që para se të dilte rezultati. Por, pavarësisht kësaj dhe pavarësisht interesave të mëdha që janë në lojë në këtë moment, i takon z. Rama që në vend që të kapet pas 10 votave plus dhe të shpallë fitoren, të kërkojë më guxim që të vlerësohen të gjitha fletët e votimit që gjenden në kutitë e gabuara. Në qoftë se z. Rama beson se baza e demokracisë është vota e lirë, e barabartë dhe e ndershme, duhet ta kërkojë ai vlerësimin e të gjitha këtyre fletëve të votimit, që nga kutia e parë deri tek ajo e fundit, duke e bërë këtë proces transparent deri në fund dhe duke i ofruar në këtë mënyrë shoqërisë shqiptare një duel të munguar.

© Panorama.al

Te lidhura