Dudushi vendoset tek e “E Diell” si autor dhe prezantues në fillimvit

Nov 5, 2011 | 15:41

Alban Dudushi ishte emri më shumë i diskutuar për të prezantuar programin e orëve të gjata, “E Diell” në “Top Channel”, në fillim të sezonit. Ndërkohë, ky emër i propozuar nga vetë Adi Krasta, pasi ai hoqi dorë nga prezantimi i këtij programi këtë fillim të ri sezoni, mbeti vetëm në nivelin e diskutimit. Kjo, sepse Alban Dudushi nuk ra dakord me konceptin e këtij programi të formatuar, që nga sezoni i kaluar nga çifti kosovar i artistëve, Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku. Ata ideuan një format të ri të “E diell”, me dy prezantues kryesorë dhe një grup prezantuesesh femra, që organizonin rubrikat e diskutimeve të lehta me artistë dhe të ftuar nga fusha të ndryshme. Tashmë, me sa duket, shikueshmëria e “E diell” nuk rezulton në nivele të kënaqshme për drejtuesit e “Top Channel”, ndaj ata kanë vendosur të bëjnë një mbledhje të posaçme për vijueshmërinë e këtij programi. Dhe kështu është marrë një vendim zyrtar, që po mbahet sekret për momentin, vendim që do të ndryshojë komplet strukturën në e “E diell”. Sipas këtij vendimi, çifti Armend dhe Aida do të vazhdojnë të jenë autorë të “E diell” deri në fund të dhjetorit, por që në janar gjithçka është planifikuar të jetë ndryshe në këtë program. Për të vendosur se cili do të jetë autori dhe njëkohësisht prezantuesi i programit në janar 2012, drejtuesit e këtij televizioni i janë rikthyer sërish emrit të Alban Dudushit, i cili prej shtatë vitesh moderon programin e përnatshëm në “Top Channel”, “Top Show”. Tashmë është vendosur përfundimisht që Armendi dhe Aida do të zëvendësohen nga Dudushi, i cili merr përsipër jo vetëm prezantimin, por edhe autorësinë.

Dudushi prezanton me Xhemin, nuk dihet fati i «Top Show»
Arsyeja pse Dudushi nuk pranoi të merrte përsipër programin “E Diell”, ishte dhe programi i tij “Top Show”, nga i cili ai nuk ka dashur të heqë dorë pas një tradite të krijuar tashmë prej shtatë vitesh. Nisi si një program i orëve të vona në “Top Channel” me shumë të ftuar dhe trajtimin e të gjitha temave njerëzore, dhe tashmë duket një program i institucionalizuar, që nuk dihet se si do të vazhdojë në janar, pasi Dudushi të jetë i angazhuar me të dielat. Prej shtatë vitesh, ai është moderatori i debateve nga politika e deri te temat e lehta që diskutohen më një panel të zgjeruar të ftuarish në studion e tij të “Top Show-t”, duke u renditur si një nga progamet televizive më jetëgjatë dhe audiencë në televizionet shqiptare. Një format i ngjashëm me debate ekziston dhe në programin “E diell”, edhe pse jemi kureshtarë të dimë se si do të konceptohet nën autorësinë e Dudushit. Nga burimet tona deri tani dihet që partnerja e Dudushit do të jetë Xhemi Shehu, ndërsa për prezantueset e tjera femra ka shumë mundësi që të ketë reduktime, pasi koncepti i shumë femrave në një program ishte një ide e prezantuar nga çifti kosovar.

Aida dhe Armendi ndeshën probleme me “E diell” që në maj
Por ndryshimet që ndodhën te programi “E diell” pas largimit të autores italiane Alessia, dhe riformatimit nga Armendi dhe Aida, duket se u shoqërua me telashet e para në maj të këtij viti. Pas ndryshimit rrënjësor që i bën formatit të të dielave në “Top Channel”, ata u përballën me mospërputhje idesh me drejtuesit, aq sa mediat kosovare shkruan për një mbyllje të kontratës së tyre me televizionin dhe rikthimin e tyre në Prishtinë. Por më pas këto zëra u shuan, dhe çifti kosovar mori përsipër sezonin e ri të programit. Tashmë duket se është përsëritur e njëjta situatë, ndërkohë që vendimi që ata të mos jenë më autorë të programit duke filluar nga janari, tashmë është marrë. Pasi mbylli eksperiencën e tij në jurinë e spektaklit “Albanians got talent”, Armendi filloi punë tek “E diell” dhe, së bashku me Aidën, ata u zhvendosën në janar me banim në Tiranë. Ata do të rikthehen sërish në Prishtinë po në janar, për t’iu përkushtuar punës së tyre krijuese, ai si kompozitor dhe ajo si tekstshkruese e këngëve për artistë të ndryshëm nga Prishtina e Tirana.

© Panorama.al

Te lidhura