Droni rus godet objektin e magazinimit të karburantit bërthamor pranë centralit të Çernobilit

Jun 7, 2026 | 15:56

Një dron rus ka goditur një strukturë magazinimi të karburantit bërthamor të përdorur pranë centralit bërthamor të Çernobilit në Ukrainë, kanë deklaruar sot autoritetet ukrainase. Sipas tyre, nivelet e rrezatimit në zonë mbeten të qëndrueshme.

chernobyl

Në njoftime të veçanta, ushtria ukrainase dhe agjencia shtetërore e energjisë atomike bënë të ditur se një ndërtesë ku ndodhen depozita është dëmtuar pjesërisht, por theksuan se në momentin e sulmit aty nuk kishte karburant bërthamor të përdorur të magazinuar.

Zjarri që shpërtheu si pasojë e sulmit është shuar, ndërsa nuk raportohet për viktima. Rusia nuk ka komentuar ende mbi këtë sulm ndaj objektit, i cili ndodhet rreth 15 kilometra larg centralit bërthamor të Çernobilit.

“Ky nuk është rasti i parë kur forcat ruse vënë në rrezik objektet bërthamore të Ukrainës”, deklaroi në platformën X ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha. “Shantazhi bërthamor i Rusisë dhe kërcënimet e saj ndaj sigurisë bërthamore janë sistematike, të qëllimshme dhe të papranueshme”, shtoi ai.

Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e cilësoi sulmin si “jashtëzakonisht të panevojshëm”.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) njoftoi se është informuar nga autoritetet ukrainase për incidentin, duke shtuar se goditja ka shkaktuar dëme serioze në ndërtesën e magazinimit, ndërsa vala goditëse ka prekur edhe ndërtesa të tjera pranë saj.

IAEA bëri të ditur se nivelet e rrezatimit në zonë mbeten brenda kufijve normalë, bazuar në informacionet e Ukrainës, dhe shtoi se një ekip i saj pritet të vizitojë së shpejti objektin për të vlerësuar dëmet.

Në shkurt të vitit 2025, një tjetër sulm me dron rus kishte dëmtuar strukturën mbrojtëse mbi reaktorin e shkatërruar të Çernobilit. Rusia ka mohuar përgjegjësinë edhe për atë incident.

© Panorama.al

Te lidhura