Kryeministri Edi Rama ka kujtuar sot 15 vjetorin e protestës së 21 janarit, ku mbetën të vrarë 4 protestues.
Me anë të një postimi në Facebook, kreu i qeverisë thotë se 4 të vrarët ende nuk po prehen dot në paqe, ndërsa gishtin e drejton nga drejtësia, që siç shkruan ai “i ngjan një breshke që lutet për harresë”.
“Sot, në 15-vjetorin e një krimi shtetëror të pashembullt në historinë e demokracisë së re shqiptare, kur katër të vrarë ende nuk prehen dot në paqe dhe drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë, me bindjen që sado të vonojë drejtësia për 21 janarin nuk do të harrojë, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Më 21 janar 2011 humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, para kryeministrisë, në protestën e thirrur nga Partia Socialiste.
Hetimi nga SPAK
Vendimi i Gjykatës së Strasburgut që e quajti qartë krim shtetëror i hapi rrugë hetimeve nga SPAK, duke regjistruar procedimin penal me datë 15 korrik 2024, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, për 3 vepra penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, “Shpërdorim i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.
© Panorama.al













