Dramë në Shkodër për një pikë. Vllaznia dhe Bylisi kanë zhvilluar dje një ndeshje që i ka pasur të gjitha brenda. Gjashtë gola, dy lojtarë të dëmtuar rëndë, dy penallti, ndërprerje të lojës, shumë kartonë, futje të tifozëve në fushë dhe në fund, gjithçka mbyllet me një barazim 3-3. Ish-kapiteni i Kombwtares, Rudi Vata, nuk e ka nisur me fitore karrierën e tij si trajner i Vllaznisë, por takimi i mbrëmshëm në “Loro Boriçi ka dhuruar shumë emocione për të pranishmit. Kuqeblutë kanë qenë pranë humbjes, teksa kanë shpëtuar në minutat shtesë pas goditjes me kokë të Vajushit.
Pjesa e parë – Vllaznia e ka filluar ndeshjen me shumë dëshirë për fitore. Megjithatë, loja gjatë kësaj pjese ka qenë në ekuilibër. Kuqeblutë u treguan më kërkues përmes sulmuesve Sukaj e Vajushi, por përsëri kwta të fundit nuk janë mbështetur siç duhet nga ana e mesfushës. Loja ka qenë sporadike dhe pa shumë raste për shënim. Gjithsesi, vetëm në minutën e 33-të të takimit, pas një pengimi në zonë të një prej lojtarëve shkodranë, gjyqtari ka dhënë penallti, që në fakt është kontestuar ashpër nga miqtë. Suka nuk ka gabuar nga pika e bardhë, duke kaluar Vllazninë në avantazh. Por, kjo është shumë pak për një ekip që kërkon fitore, pasi miqtë nga ana e tyre kanë rrezikuar seriozisht portën e Vujadinoviçit. Pjesa e parë përfundoi me triumfin e shkodranëve.
Pjesa e dytë – Miqtë futen të karikuar në fushë dhe në minutën e 48-të arrijnë të barazojnë shifrat në 1-1. Edhe Bylisi shënon me penallti, e cila kontestohet gjithashtu nga Vllaznia. Dimo vendos baraspeshën, por nuk kalojnë shumë minuta dhe Sukaj bën heroin për Vllazninë, duke rikthyer avantazhin. Në fakt, ka qenë një gabim i pafalshëm i portierit mik Egbo. Mirëpo, Bylisi nuk është dorëzuar. Pas sulmeve të vazhdueshme është Danaj që pengon në mënyrë të parregullt Dimon dhe gjyqtari akordon një karton të kuq për mbrojtësin lezhjan të kuqebluve. Prishja e balancave në fushë ka ndikuar shumë në lojën e Vllaznisë. Këtu kanë përfituar ballshiotët, që në një aksion pa shumë pretendime kanë shënuar me anë të Dushan Popoviçit. Pas goditjes së tij drejt portës, deciziv ka qenë edhe devijimi i mbrojtësit Sykaj. Kur rezultati ishte 2-2 dhe loja po shkonte drejt fundit, një përplasje mes sulmuesit Dimo dhe mbrojtësit malazez, Braçan Popoviç, ka bërë që loja të ndërpritej për rreth 20 minuta. Pas rifillimit të saj dhe dërgimit në spital të dy lojtarëve të dëmtuar, miqtë ndëshkojnë Vllazninë. Ristevski përfiton nga një gabim trashanik i Smajlit, duke i rrëmbyer këtij të fundit topin dhe me një të majtë të fuqishme brenda zonës kalon në avantazh ballshiotët. Në stadium ka heshtje dhe shkodranët nuk u besojnë syve se po humbasin. Por, ata gjejnë kurajo për të tentuar barazimin në minutat shtesë dhe ia arrijnë pas një goditjeje nga këndi. Vajushi gjuan me kokë dhe mbrojtësi Kelmendi, në përpjekje për të larguar topin nga porta e devijon atë me dorë drejt rrjetës. Pas këtij goli të kuqebluve gjithçka mbyllet 3-3.
Vata
“Pavarësisht dëshirës për të fituar, mendoj se një pikë për secilën skuadër është rezultati më i drejtë, ashtu siç u zhvillua ndeshja. Episodet ishin të atilla, prandaj them se rezultati 3-3 ishte i drejtë. Duhet të kishim evituar të paktën një gol, ndoshta edhe dy, por këto janë disa defekte që mendoj se do të korrigjohen me kalimin e kohës. Duhet ta pranojmë se kemi mangësi në kontingjentin e lojtarëve, ku 11 futbollistët që zbritën në fushën e lojës ishin më në formë për momentin, ndërsa stoli është i mangët”, ka thënë trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata.
Shansoji
“Së pari do t’i kërkoja falje tifozërisë shkodrane për gjestin tim. U binda përfundimisht se kjo tifozëri është e mrekullueshme dhe di të vlerësojë saktë se cila skuadër luan mirë. Për mua sot (dje) fitoi tifozëria shkodrane. Shqipëria është shteti i pestë që drejtoj dhe punoj dhe të tillë gjyqtarë nuk kam parë. I njëjti arbitër që sot (dje), edhe ndaj Laçit, na ka mohuar në 15 minutat e fundit dy pikë në mënyrë të padrejtë, për të mos vazhduar pastaj me ndeshjet e tjera si ndaj Tiranës, Flamurtarit dhe Kastriotit”, deklaroi trajneri i Bylisit, Naxhi Shansoji.
KATEGORIA SUPERIORE
JAVA E 8-TË (4-6 NËNTOR)
Të premten
Pogradeci-Laçi 3-1
Çipi 47’, Eminhazeri 66’, Çela 86’ / Vucaj 92’ (11-m)
Dje
Kamza-Shkumbini 1-0
Pema 17’ (11-m)
Vllaznia-Bylis 3-3
Sukaj 33’ (11-m), 49’, Vajushi 93’ / Dimo 47’ (11-m), D.Popoviç 83’, Ristevski 91’
Sot
Kastrioti-Tomori 13:00
Gjyqtarë: Kridens Meta (Tiranë)
Flamurtari-Apolonia 13:00
Gjyqtarë: Laver Alla (Lushnjë)
Teuta-Dinamo 14:00
Gjyqtarë: Edvin Hoxha (Lezhë)
Tirana-Skënderbeu 17:00
Gjyqtarë: Lorenc Jemini (Tiranë)
RENDITJA
Nr EKIPI N F B H G+ G- P
1 Tirana 7 5 1 1 15 9 16
2 Teuta 7 5 1 1 7 3 16
3 Flamurtari 7 5 0 2 11 6 15
4 Kamza 8 4 1 3 8 6 13
5 Kastrioti 7 4 0 3 12 8 12
6 Laçi 8 3 3 2 10 11 12
7 Vllaznia 8 3 2 3 13 11 11
8 Skënderbeu 7 2 4 1 5 3 10
9 Pogradeci 8 3 1 4 6 11 10
10 Shkumbini 8 2 3 3 12 12 9
11 Bylis 8 2 2 4 15 16 8
12 Apolonia 7 2 1 4 5 8 7
13 Tomori 7 1 1 5 5 13 4
14 Dinamo 7 0 2 5 1 8 -1
Shënim: Dinamo është penalizuar nga UEFA me -3 pikë











