Një ngjarje dramatike ka ndodhur dje në Kalithea të Greqisë.
Një vajzë 2-vjeçare, me baba shqiptar, ra aksidentalisht në shatërvanin e sheshit “Kyprou” dhe u mbyt, duke dalë jashtë vëmendjes së prindërve që ishin aty pranë.
Mjekët në Spitalin e Fëmijëve u përpoqën për 40 minuta të ringjallnin një vajzë 2-vjeçare dhe pas CPR-së (ndërhyrjes së shpejtë), arritën ta ringjallnin vogëlushen. Autoritetet u shprehën megjithatë se gjendja e saj shëndetësore mbetet kritike.
Nga hetimet rezulton se fëmija i shpëtoi vëmendjes së prindërve teksa po luante dhe ra në ujë. Mirëpo ajo që ka shqetësuar hetuesit ishte fakti se prindërit kur u pyetën nga mjekët e urgjencës dëshmuan se vajza ishte 5 vjeçe, ndërkohë që rezultoi se ishte vetëm 2 dhe duhet të mos ishte lënë vetëm për asnjë moment.
Në këto rrethana, policia njoftoi se arrestoi babanë me origjinë shqiptare, një 25-vjeçar dhe ka marrë nën hetim në gjendje të lirë nënën 23-vjeçare të vogëlushes.
Sipas dinamikës që raporton “Zouglas”, kalimtarët që e vunë re këtë njoftuan menjëherë një grup policie që po kalonte aty pranë, të cilët nxituan në vendngjarje. Efektivët e policisë morën fëmijën e vogël në gjendje kritike dhe e transportuan me makinë patrullimi në Spitalin Pediatrik “Aglaia Kyriakou”.
Si babai ashtu edhe nëna 23-vjeçare e fëmijës do të dalin para prokurorit të hënën me akuzën e neglizhencës së mbikëqyrjes së një të mituri.
“Në fakt, babai i vajzës 2-vjeçare është arrestuar tashmë dhe ndaj tij është ngritur një çështje penale për “ekspozim ndaj rrezikut të një të miture”. E njëjta akuzë vlen edhe për nënën, e cila, megjithatë, është në prani të oficerëve të policisë në Spitalin e Fëmijëve “Aglaia Kyriakou” pranë fëmijës së saj, i cili është i shtruar në njësinë e kujdesit intensiv”, informon media greke.
© Panorama.al












