“Dosjet e Ramës nuk mbyllen me një Lubi dhe as me 5 Lubi”- Berisha rendit akuzat për Ramën: Nga Llogaraja te Porti i Durrësit! Sovrani do t’i tregojë vendin

Mar 16, 2026 | 10:26

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha jashtë ambienteve të SPAK tha se Rama nuk mund të mbyllë dosjet e tij më largimin e Belinda Ballukut.

Për gazetarët, kryedemokrati renditi sipas tij dosjet në të cilat është implikuar kryeministri Rama, ndërsa theksoi se nuk po mbron Ballukun, por vetën e tij.

Kreu i PD, deklaroi se  do të jetë sovrani ai që ‘do t’i tregojë vendin dhe do e çojë në bankën e të akuzuarve siç e meriton’.

“I them Edi Ramës mos mendo se ke mbyllur dosjen tënde. Kurrë! Dosja jote nuk mbyllet kurrë, as me një Lubi, as me 5 Lubi. Bëj ç’të duash, të gjitha janë vetëm për Edi Ramën dhe absolutisht sovrani do të thotë fjalën e tij, do të jetë sovrani ai që do t’i tregojë vendin dhe do e çojë në bankën e të akuzuarve siç e meriton”, tha Berisha.

Berisha deklaroi se dosjet ku Rama është i implikuar janë të shumta, nga Tuneli i Llogarasë, tek Porto Romano, Porti i Durrësit, AKSHI apo edhe inceneratori i Tiranës.

“E tillë është dosja e tunelit të Llogarasë me 50 milionë euro të zhdukura me një firmë. E tillë është dosja e inceneratorit të Tiranës, ku Edi Rama shpalli emergjencën kombëtare për të ardhur tek inceneratorët dhe e paraqiste atë si transformimin e madh sepse Edi Rama ka firmosur, i ka dhënë 8 pikë kompanisë 8 muaj para themelimit të saj. Sepse Edi Rama ka përgjegjësi si kryeministër, janë disbursuar 130 milionë euro, nuk është bërë asnjë kontroll, nuk ka ndodhur kurrë në historinë e këtij shteti.

Është dosja e Porto Romanos ku së bashku me thjeshtrën kanë duart e tyre të zeza sepse është një projekt i bërë në studion ku punonte thjeshtra. Kanë futur në xhep të paktën 13 milionë euro me një të rënë të lapsit.

Është dosja miliardere e portit të Durrësit. Dosja që shkon të paktën 4 miliardë euro sepse vetëm toka, pronë publike, kushton rreth 3.8 miliardë euro, plus sa kushton porti. Është pasuria më e madhe publike e shqiptarëve që u merret nga Edi Rama për Dubai City-n e tij dhe gjobiten me 1 miliard euro për të ndërtuar një port 4 gjer në 8 herë më të vogël se porti i Durrësit. Dhe del e mashtron e thotë se do jetë porti rajonal i Korridorit të tetë. Pra, gjithçka në funksion të vjedhjes së tij.

Nuk ka aferë më të madhe. Po merr pak, kush vodhi me checkupin dhe sterilizimet e shëndetësisë? A nuk ishte Rama protagonist kryesor që vraponte nga një studio në tjetër me një pincë të thyer dhe një gërshërë të ndryshkur…”, tha Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura