Dosja e një femre të suksesshme në diktaturë

May 29, 2011 | 12:59

Pak rëndësi kishin notat. E rëndësishme ishte që të rridhje nga një familje e “mirë”, ku që nga gjyshi, babai e të gjithë me soj e sorollop të ishin të panjollë. Shumë më mirë nëse kishin marrë pjesë në luftë apo nëse ishin anëtarë të Partisë së Punës. Gjatë diktaturës, këto ishin kriteret më të rëndësishme që të mund të arsimoheshe, të punësoheshe e ta mbaje një vend pune. Si ishte një curriculum vitae asokohe… Ju ofrojmë një dosje-tip të një gruaje para viteve ’90, arkivuar në Arkivin e Shtetit

Partia për të filluar shkollën e lartë. Partia për të marrë një vend pune të mirë në administratë. Partia për ta mbajtur atë çfarë të dha… Sidomos një femre, sjellja morale e së cilës duhej të ishte e pastër, por jo më e rëndësishme sesa pastërtia politike në 3 breza: gjyshërit, prindërit, ajo vetë, por edhe të të afërmve të tjerë. Në rast se ishte e martuar, duhej provuar edhe biografia “akull” e familjarëve të bashkëshortit. Biografi kjo që duhej ribërë çdo vit, në një lloj dokumenti që quhej “Karakteristika”. Kjo fletë, ku shënohej gjithçka thamë më sipër, ishte orientimi kryesor, nëse një femër do të shkollohej, do të punësohej dhe sipas zhvillimeve të sjelljes politike, nëse do të vijonte ta mbante vendin e punës. Veç të tjerash, ajo duhej t’u përgjigjej 25 pyetjeve, ku vetëm 3 prej tyre ishin formale për të dhëna vetjake, ndërsa 22 të tjerat ishin me karakter politik. Gjithçka shoqërohej me vërtetimet përkatëse të organeve partiake, ndërsa duket se më e parëndësishmja për integrimin e femrës, ishin rezultatet në mësime. Edhe pse më nota tejet të ulëta, edhe një femër nga rrethet mund të fillonte punë në ministri në Tiranë, në rast se nuk kishte asnjë cen në biografi. Këto lloj historish, me të jetuar e ka një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare. Me të dëgjuar e ka një pjesë më e vogël. Të shkruar zyrtarisht mund ta shohim sot të gjithë. Një dosje të tillë për mënyrën e shkollimit dhe punësimit të gruas gjatë kohës së komunizmit e boton sot gazeta “Panorama”. Për arsye të ruajtjes së imazhit, emri i asaj që ka këtë dosje nuk do të bëhet publik, por vetëm kriteret e përgjithshme që kishte vendosur Partia e Punës së Shqipërisë për punësimin e gruas. Një CV femërore e kohës së komunizmit…
Për të marrë të drejtën e shkollës
Nuk përmenden gjëkundi notat. Rezultatet e gjimnazistes sipas lëndëve. Në dosjen e kësaj vajze që kërkon të ndjekë arsimin e lartë jepen vetëm të dhënat personale, si datëlindja, vendlindja, shtetësia, kombësia, ndërsa pjesa tjetër ka të bëjë shtjellimin e pjesëmarrjes në organizatat shoqërore (p.sh. kjo është anëtare e BRPSH). Dëshira e saj për të ndjekur studimet është për Merceologji, Filozofi dhe Mjekësi të Përgjithshme. Por, komisioni i rrethit përkatës, pasi ka bërë analizën biografike të saj, të familjes dhe të të afërmve, mendon ndryshe: “Ka sjellje moral-politike të mirë, edhe familja është aktiviste e mirë në lagje. Babai i saj, nëpunës në spitalin civil dhe anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë. Nuk kanë pasur njeri në grupet antiparti. Në shkollë, ajo ka punuar shumë mirë për ngritjen ideologjike. Ka bërë punë shumë të mirë për përvetësimin e materialeve të Partisë dhe shokut Enver. Ka mbajtur qëndrim korrekt në përgatitjen fiziko-ushtarake. Ka marrë pjesë në aksionet lokale dhe ka dhënë kontribut të madh. Ka pasur marrëdhënie të mira me shokët në shoqëri dhe karakterizohet nga disiplinë shumë e lartë. Gjatë katër viteve në shkollë ka qenë në udhëheqje të organizatës së rinisë dhe ka dhënë kontribut të mirë. Ka marrë pjesë në çdo aktivitet. Mendimi i shkollës dhe i Komitetit Ekzekutiv KP i qytetit është që t’i jepet e drejta për të vijuar studimet e larta për “Ekonomi Politike”. Kjo është femra e vitit 1976 në argumentet e Partisë së Punës së Shqipërisë, se pse ajo duhet të fillojë shkollën e lartë… për Ekonomi Politike. Pra, asnjë nga degët që gjimnazistja në fjalë dëshironte. Në fletët pasuese të dosjes shihet se ajo ka filluar këtë degë, por edhe angazhime të tjera politike.
E drejta për t’u punësuar
“Gruaja është forcë e madhe”, ishte parulla komuniste për punësimin e saj, por madhështia i varej vetëm nga biografia në organizatën e masave, në Parti dhe në aksione. Duket se vajza në fjalë e kishte këtë madhështi. Me një baba dhe motër anëtar partie, por edhe angazhime personale të saj, katër vite më vonë, sërish PPSH i jep të drejtën për të filluar punë në një institucion të rëndësishëm në Tiranë, edhe pse mesatarja ishte “mjaftueshëm”. “Gjatë katër viteve në Fakultet ka arritur rezultate të mjaftueshme në mësime, me mesatare të përgjithshme 6.1. Por është aktivizuar në mbledhjet e Organizatës së Rinisë, në zgjidhjen e problemeve të ndryshme që kanë shqetësuar organizatën. Ka marrë pjesë në aksionet kombëtare e lokale që janë zhvilluar, ku ka punuar me ndërgjegje të lartë. Është e thjeshtë, e sinqertë me shokët. Ka marrë pjesë në gjallimin e jetës së konviktit. Ka punuar për ngritjen e saj ideo-politike. Ka punuar për përvetësimin e Artit tonë Ushtarak Popullor dhe ka arritur rezultate të mira në të. Qëndrimi moralo-politik, si brenda dhe jashtë fakultetit, ka qenë shumë i mirë. Babai dhe motra e saj janë anëtarë të Partisë së Punës. E gjithë familja e saj është gjithashtu e pastër moralisht dhe politikisht. Për të gjitha këto arsye, Aparati i Komitetit Ekzekutiv K.P. i rrethit vendos X (studentja në fjalë) që të fillojë punë në Ministrinë e Mbrojtjes”. Kjo është femra e vitit 1980 dhe kriteret që duhet të plotësojë ajo për t’u punësuar.
Garantimi i vendit të punës
Duket sikur gjithçka merr fund me punësimin, por këtu nis edhe pjesa më e vështirë. Sepse fitimi i vendit të punës duhej garantuar çdo vit me një biografi të pastër. Mbase çështja duket paksa e lehtë kur bëhet fjalë vetëm për veten, por për të garantuar të kaluarën në 3 breza dhe të ardhmen nga martesa, gjithçka bëhet e vështirë. Megjithatë, femra së cilës i disponojmë dosjen duket se ka pasur fat me bashkëshortin ose të dy kanë treguar kujdes me zgjedhjet e partnerit. Që të dy, në rifreskimin e karakteristikave, rezultojnë “të pastër”. Në dosjen personale të saj shtohet një fletë, ku shkruhet “Shtesë në biografi”. Aty shënohet gjithçka për bashkëshortin, vëllezërit, vjehrrën dhe vjehrrin, si dhe të afërm të tjerë. Që të gjithë pa probleme politike, të dokumentuara me vërtetimet përkatëse. Në të njëjtën kohë me martesën, në dosje i shtohet edhe propozimi për rritje në përgjegjësi dhe pagë, me motivacionin tashmë të njohur që në punësim (viti 1984): “Shoqja X… rrjedh nga një familje me qëndrim të mirë politik. Babai i saj ka marrë pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare, është anëtar partie, ka punuar në organet e punëve të brendshme, tani është pensionist. Nëna e saj ka qenë punëtore, e ndershme. Ka edhe dy motra, njëra prej të cilave është anëtare partie. Është aktivizuar në mbledhjet e Organizatës së Rinisë. Ka marrë pjesë në aksione kombëtare dhe lokale. Është shoqe e thjeshtë dhe e sinqertë. Ka dorëzuar para afatit inventarin. Zbaton dhe shfrytëzon mirë orarin. Gjatë kësaj kohe ka qenë e lidhur me masat, gëzon respektin e tyre”.

Si bëhej një autobiografi

Faksimile e fletë-anketës me 25 pyetjet për shkollim dhe punësim

Dosja e plotë e një femre për të filluar punë kishte disa dokumente, por më e rëndësishme ishte fletë-anketa me 25 pyetje. Një format i gatshëm ky i PPSH-së, me vend bosh në krah të majtë për t’u përgjigjur. Veç pyetjeve fillestare për të dhënat e përgjithshme, të gjitha të tjerat kishin të bënin me aderimet politike që nga gjyshërit e deri te pasardhësit. Dosja përmbante edhe dy fotografi, vërtetime të ndryshme të aderimit në organizata të Partisë së Punës, të aksioneve, shërbimit ushtarak, certifikata personale dhe familjare (deri edhe të gjyshërve, të të afërmve, të bashkëshortit dhe familjarëve të tij)

1 Datëlindja, vendlindja
2 Kombësia
3 Shtetësia (nëse është ndërruar duhet të shënohet edhe e para)
4 Origjina shoqërore (femra në fjalë: nëpunës i pushtetit popullor)
5 Gjendja shoqërore para plotësimit të fletanketës (studente)
6 Arsimi shtetëror që ke kryer: civil, ushtarak, i përgjithshëm, profesional; dega e specialitetit, vendi dhe data e kryer
7 Ç’gjuhë të huaja ke mësuar në shkollë të mesme, të lartë apo si autodidakte, me shkrim ose me të folur.
8 Kurse dhe shkolla partie që ke kryer, ku dhe kur?
9 A je anëtar ose kandidat partie, në ç’datë dhe në cilën organizatë bazë je pranuar?
10 A ke bërë më përpara pjesë në Partinë e Punës të Shqipërisë, a je përjashtuar, kur dhe për çfarë arsyeje.
11 Në ç’organizatë masash ke bërë e bën pjesë; të pionierit, të rinisë, të gruas, të bashkimeve profesionale, të frontit (nga ç’datë deri më ç’datë). A je përjashtuar në ndonjërën nga këto dhe për ç’arsye?
12 Në ç’aksione në shkallë Republike ose rrethi ke marrë pjesë, kur dhe për sa kohë. Përgjegjësia që ke pasur.
13 A ke kryer shërbimin ushtarak, kur, në cilën armë dhe ku, në cilën evidencë ushtarake je regjistruar. Nëse je oficer në rezervë, përgjegjësinë që ke. Nëse je çmobilizuar ose përjashtuar, me ç’motivacion?
14 A ke qenë jashtë shtetit, ku dhe kur, për ç’arsye ke qenë.
15 A je i martuar, kur dhe me kë. Je shkurorëzuar, kur dhe për ç’arsye. Në je e ve. Nëse je rimartuar kur dhe me kë.
16 A ke bërë pjesë në fraksione ose në grupe antiparti, kur, për sa kohë dhe për ç’arsye je larguar prej tyre. Si ke luftuar kundër veprimtarisë armiqësore të grupeve ose elementëve antiparti.
17 A je ndëshkuar nga organizatat e organet e partisë, nga organet e pushtetit, nga organizatat e masave, kur dhe për ç’arsye. Masat që të janë dhënë, nëse të janë shlyer dhe kur.
18 A je dënuar nga gjykata popullore, kur, për ç’arsye dhe për sa kohë.
19 Me ç’punë të janë marrë prindërit deri më 1939, gjatë pushtimit dhe pas çlirimit.
20 Gjendja ekonomike e familjes para pushtimit, gjatë pushtimit dhe pas çlirimit, pasuria që ka pasur. A ju është marrë gjë nga reformat e pushtetit popullor dhe çfarë.
21 A ke pasur ndonjë nga pjesëtarët e familjes ose të afërmit që kanë marrë pjesë në ushtrinë apo në forma të organizuara në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, ku, kur (nga ç’kohë deri në ç’kohë), ç’funksione ka pasur dhe çfarë lloj veprimtarie ka zhvilluar për të ndihmuar Luftën Nacionalçlirimtare.
22 A ke ndonjë nga pjesëtarët e familjes apo të afërm në radhët e PPSH. Nëse ndonjë prej tyre është përjashtuar, kur dhe për ç’arsye.
23 A ke pasur ndonjë nga pjesëtarët e familjes në radhët e “Ballit Kombëtar”, të “Legalitetit”, të milicisë fashiste, të kuesturës, të formacioneve të tjera armike (nga ç’kohë deri në ç’kohë), ku dhe ç’funksion ka patur.
24 A ke ndonjë nga pjesëtarët e familjes të deklasuar ose që ka zhvilluar veprimtari antiparti, a veprimtari tjetër armiqësore, të arratisur, të dënuar për arsye politike, e për arsye të tjera, kur, ku, për ç’arsye dhe ç’dënim ka marrë.
25 A ke ndonjë nga pjestarët e familjes jashtë shtetit. Ç’lidhje familjare ke më të. Në ç’vend është, kur dhe përse ka ikur. Ç’punë bën dhe ç’shtetësi ka.

 

ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura