Gjykata e Posaçme e Apelit ka dhënë sot (5 shkurt), masat e sigurisë për të akuzuarit e dosjes së AKSHI-t, mes tyre për drejtoreshën Mirlinda Karçanaj dhe në mungesë për dy biznesmenët e kërkuar, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.
Pas një seance të gjatë, trupa gjykuese vendosi të lërë në fuqi të gjitha masat e sigurisë për të arrestuarit, të akuzuarit dhe të kërkuarit.
Mirlinda Karçanaj dhe Hava Delibashi u lanë po në “arrest shtëpie”, sipas vendimit të shkallës së parë të GJKKO-së, me kërkesë të SPAK-ut.
Edhe për të tjerët të njëjtat masa. Ndërsa masa “arrest me burg” në mungesë mbeti në fuqi edhe për biznesmenët e kërkuar Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, të akuzuar si drejtues të skemave korruptive me tenderët në AKSHI.
Vendimi u mor nga relatori i trupës gjykuese, Florjan Kalaja, duke lënë në fuqi 6 masat e shkallës së parë për personat e dyshuar, teksa mbetet në fuqi edhe ajo për 2 të kërkuarit.
Vendimi i Apelit të GJKKO-së:
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më datë 05.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 4 akti, datë 27.01.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesve Mirlinda Karcanaj, Hava Delibashi, E.I, R.Rr, A.P, G.H:
“- Ankim kundër vendimit nr. 125, datë 15.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Caktim mase sigurimi personal.
– Ankim kundër vendimit nr. 131, datë 18.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt:
Verifikimin e kushteve dhe kritereve të caktimit të masës së sigurimit personale shtrënguese për personat nën hetim M.K, H.D, E.I, R.Rr, A.P, G.H”, duke miratuar vendimin nr. 125, datë 15.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sa i takon disponimeve kundrejt znj. H.D, z. E.I., z. G.H, znj. M.K, z. A.P dhe z. R.Rr dhe vendimin nr. 131, datë 18.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Gjithashtu, disponoi për ndalimin e publikimit apo dekonspirimit të këtij vendimi deri në mbylljen e hetimeve paraprake, në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale”.
© Panorama.al














