Konferenca e Kryetarëve në Kryesinë e Kuvendit ditën e sotme (29 janar) është shoqëruar me përplasje dhe debate të forta politike mes palëve, për shkak të mbrojtjes që mazhoranca po i bën zv/kryeministres Belinda Balluku, si për mosmbajtjen e mbledhjes së Këshillit të Imuniteteve, ashtu edhe për moskalimin në parlament të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zyrtares së lartë socialiste.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, deputeti Tedi Blushi ka akuzuar drejtpërdrejtë edhe kryeparlamentarin Niko Peleshi, se po keqpërdor Kuvendin për të mbrojtur një “hajdute si zv/kryeministrja që vjedh miliona”.
Ai ngriti shqetësimin edhe për standardin dyfish që përdor pushteti, duke dënuar qytetarët me burg për një parkim dysh, por në krahun tjetër mbron zv/kryeministren që vjedh miliona.
“Ju miratoni ligje për të dënuar me burg shqiptarët për parkim dysh dhe nuk dorëzonin para drejtësisë Zv/kryeministren hajdute të kapur për vjedhje në flagrancë. Standardi që shqiptarët të bëjnë burg për parkimin dhe Zv/Kryeministrja të jetë e lirë për vjedhje është irrituese. Korrupsioni duhet të jetë vija e kuqe për Kuvendin. Asnjë mbrojtje të mos ketë për çdo zyrtar hajdut që vjedh qytetarët më të varfër të kontinentit. Revoltuese të dënoni me burg shqiptarët e thjeshtë për parkimin dysh dhe të mbroni një hajdute të qindra milion euro”, tha ai.
Deputeti nënvizoi më tej se imuniteti i Ballukut duhet të ishte hequr që në mbledhjen e djeshme, të 28 janarit, që ishte edhe mbledhja në kalendar, por mazhoranca e shtyu me pretendimin e pritjes së vendimit të Kushtetueses për pezullimin nga detyra.
“Imuniteti i duhej hequr dje, jo nesër. Boll e keqpërdoret Kuvendin për të mbrojtur me thonj korrupsionin e Edi Ramës. Po legalizoni pandëshkueshmërinë dhe mbrojtjen e korrupsionit të Ramës. Dosja Balluku është dosja e Ramës, por hajdutëritë e tij nuk mund të tërheqin për veshi Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendi nuk mund të kthehet në mburojë për hallet e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut”, vijoi ligjvënësi opozitar.
Në fund Blushi i bëri thirrje Peleshit që të mos keqpërdornin institucionet dhe të mos provokonin më shumë shqiptarët, por të zbatohej ligji duke e dorëzuar Ballukun te drejtësia, pasi në të kundërtën flakët e revoltës do mbërrinin te zyrat e Kuvendit.
“Dorëzoni Ballukun dhe mos i provokoni më shqiptarët, përndryshe flaka e revoltës do mbërrijë edhe në zyrat e Kuvendit”, tha ai.
Gjatë debateve për imunitetin e Belinda Ballukut, Blushi ka përmendur edhe skandalin e rrugës Qukës-Qafë-Plloçë.
“Ti je dhe deputet i Qarkut të Korçës (i drejtohet Peleshit), a kalon dot nga rruga Qukës-Qafë Plloçë? Çfarë prove do më shumë se 260 milionë euro të grabitura për një rrugë që nuk funksionon? Hapi rrugën drejtësisë se i ke vënë gjoksin topit të korrupsionit të Edi Ramës!”, tha ligjvënësi opozitar.
© Panorama.al












