“Dorëheqja e Ballukut nuk duhej bllokuar” – Ish ministri Lleshaj: Duhej të ishte gjetur një zgjidhje politike për të dalë nga ngërçi! Ajo që humb është Shqipëria

Mar 5, 2026 | 15:07

Ish ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka komentuar zhvillimet e fundit në politikë, shkarkimin e Belinda Ballukut dhe ndryshimet në qeveri.

lleshaj

Në një intervistë për News24, ai theksoi se nga zhurma e bërë pas skandalit Balluku, ajo që humb është Shqipëria dhe shqiptarët. Sipas tij, do të duhet të ishte gjetur një zgjidhje politike për këtë ngërç, ndërsa e cilësoi dhënien e dorëheqjes si “mekanizmin e artë”  për të kapërcyer krizën.

“Nuk i kam ndjekur me intensitet të lartë këto zhvillime dhe ndryshimet e fundit që kanë ndodhur. Por koha për ndryshim ka ardhur. E vetmja që humbet nga këto diskutime, kjo zhurmë, janë vetë Shqipëria dhe shqiptarët. Do të duhet të ishin gjetur rrugë për të dalë nga kjo situatë ngërçi. Janë pleksur disa gjëra. Ndaj gjëja më e mirë është rruga politike. Ajo i zgjidh më mirë.

Dorëheqja është mekanizëm i artë për të dalë nga ngërçi. E kam provuar vetë këtë. E di çdo të thotë. Është akt përgjegjësie, që t’i hapet rrugë një situatë të re. Përmes dorëheqjeve duhet të arrihet kapërcimi i situatës, që i rëndon vendit kot. Dhe të merresh me këto gjëra që prodhojnë kosto, është e padobishme. E kam dhënë vetë dorëheqjen, e kam deklaruar që atëherë. Po të ma kishte kërkuar njeri, s’do e kisha dhënë.”, theksoi ish-ministri.

Ai u pyet edhe për deklaratën e kryeministrit Edi Rama së Balluku ia ka dorëzuar dorëheqjen tre herë por s’e ka pranuar, përpara se ajo të shkarkohej zyrtarisht nga postet që ajo mbante në kabinetin qeveritar.

Sipas ish-ministrit, nëse dorëheqja e Ballukut nuk ka qenë nën presion por me vullnet të lirë, atëherë nuk kishte arsye që të bllokohej nga kreu i qeverisë.

“S’e di nëse zonja Balluku ka qenë nën presion për dorëheqjen. Nëse e ka dhënë me vullnetin e saj është çështje tjetër. Dorëheqja nën presion nuk është dorëheqje. Nëse kemi të bëjmë me dorëheqje që buron nga gjykimi i shëndoshë mbi situatën dhe vullneti i lirë i personit që do të hapë rrugë për një zgjidhje të re politike, atëherë dorëheqjet duhen respektuar, jo bllokuar. Nuk e di se çfarë rrethanash ka pasur që Rama nuk e ka pranuar Ballukun.”, tha Lleshaj.

© Panorama.al

Te lidhura