Donald Trump paralajmëroi se nuk do të lejojë që të funksionojë ura në ndërtim që do të lidhë Kanadanë me SHBA-në, duke argumentuar se të paktën gjysma e infrastrukturës duhet t’i përkasë vendit të tij.
“Unë nuk do ta lejoj të hapet kjo urë deri sa SHBA të kompensohen plotësisht për gjithçka që i kemi dhënë Kanadasë, dhe gjithashtu sa kohë që Kanadaja nuk i trajton SHBA-të në mënyrë të drejtë dhe me respektin që meritojmë,” shkroi presidenti amerikan në rrjetin social Truth Social.
“Do të fillojmë negociatat MENJËHERË,” shtoi ai, duke shkruar fjalën e fundit me shkronja kapitale për të theksuar.
“Me gjithçka që u kemi dhënë, ne do të duheshim të ishim pronarët e të paktën gjysmës së këtij projekti,” insistoi Trump.
Ura, ende në ndërtim mbi lumin Detroit, do të lidhë qytetin e Detroitit në Michigan me qytetin kanadez Windsor në Ontario. Projekti nisi në 2018 dhe kostoja totale është vlerësuar rreth 6,4 miliardë dollarë kanadezë (rreth 4 miliardë euro). Hapja e saj pritet brenda vitit 2026.
Sipas një dokumenti të autoritetit që menaxhon projektin, Windsor-Detroit Bridge Authority, Kanadaja ka garantuar plotësisht financimin, por ura do të jetë në pronësi të përbashkët midis Kanadasë dhe shtetit amerikan Michigan. Ajo do të marrë emrin e legjendës kanadeze të hokejit mbi akull, Gordie Howe.
Në të njëjtin postim në rrjetin e tij, Trump kritikoi përsëri Otavën për planin e saj për të forcuar bashkëpunimin me Kinën, duke paralajmëruar se Pekini “do ta ha Kanada-n gjallë.”
Ai gjithashtu sulmoi ish-presidentin demokrat Barack Obama, i cili kishte miratuar projektin.
Që nga rikthimi i tij në pushtet, Trump ka rritur tonet kundër Kanadasë, duke përfshirë sulme ekonomike dhe tregtare, dhe për një periudhë ai e konsideronte vendin fqinj verior “shteti i 51-të” të SHBA-së.
Së fundmi, ai kërcënoi se do të vendosë tarifa doganore shtesë “100%” nëse Kanadaja nënshkruan marrëveshje tregtare me Kinën, ndërsa qeveria e tij ka tërhequr certifikimin për avionë të prodhuar nga kompanitë kanadeze, përfshirë Bombardier.
Në mes të janarit, kryeministri kanadez Mark Carney njoftoi marrëveshje me Kinën për tarifat doganore dhe importet e automjeteve elektrike gjatë vizitës së tij në Pekin, e cila u cilësua si një faqe e re në marrëdhëniet midis dy vendeve, të cilat për vite me radhë ishin karakterizuar nga konflikte dhe tensione.
© Panorama.al













