Gjykata Kushtetuese vendosi të pranojë kërkesën e 1/5 së deputetëve për shfuqizimin e vendimit te Rregullores së Kuvendit, që ka të bëjë me shkurtimin e Komisioneve.
Institucioni më i lartë i drejtësisë në vend konstatoi se ka shkelje tek procedura e përshpejtuar dhe mënyra se si thirren mbledhjet.
Gjyqtarët kushtetues konkluduan se vendimi i Kuvendit duhet shfuqizuar, për shkak së cenon parimin e demokracisë përfaqësuese të lidhur me lirinë e shpresës së deputetëve si pasojë e shkeljes së rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit, si dhe të procedurës së ndjekur për miratimin e rregullores.
Sipas Gjykatës vendimi i Kuvendit për miratimin e rregullores së re është në papajtueshmëri me Kushtetutën.
“Gjykata u mblodh në datën 23.02.2026 dhe pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve, vlerësoi se sa i takon themelit të pretendimeve të kërkuesit, duhet vendosur shfuqizimi i vendimit nr. 57/2025, për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve si pasojë e shkeljes së rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit si dhe të procedurës së ndjekur për miratimin e aktit objekt shqyrtimi”, thuhet mes të tjerash në vendim.
Dhe më tej citohet se:
“Shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025 të datës 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”.
Vendimi do shpallet i zbardhur sipas afateve.
Tre ditë pas konstituimit, me 79 vota pro Kuvendi miratoi ndryshimin e rregullores ku u krijuan 11 komisionet të përhershme parlamentare nga 8 që ishin më parë.
Gjatë votimit në Kuvend të rregullores, demokratët e braktisën seancën dhe e konsideruan çështjen si “puç kushtetues”.
1 e 5 e deputetëve e dërgoi çështjen në Gjykatë Kushtetuese duke pretenduar se procesi zgjati vetëm 1 orë dhe deputetët nuk patën mundësi të paraqesin propozimet e tyre. Gjatë seancës Kuvendi pretendoi se në kushtet e urgjencës kishte zbatuar rregullin aq sa mundej.
Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese:
“Gjykata Kushtetuese e Republikë së Shqipërisë (Gjykata) në datën 10.02.2026 shqyrtoi në seancë publike çështjen me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me objekt: “Shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, si papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Pezullimi i vendimit nr. 57/2025, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, deri në dhënien e një vendimi përfundimtar”
Gjykata u mblodh në datën 23.02.2026 dhe pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve, vlerësoi se sa i takon themelit të pretendimeve të kërkuesit, duhet vendosur shfuqizimi i vendimit nr. 57/2025, për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve si pasojë e shkeljes së rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit si dhe të procedurës së ndjekur për miratimin e aktit objekt shqyrtimi.
Gjithashtu Gjykata vendosi që efektet e këtij shfuqizimi hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, në mënyrë që gjatë këtij afati, Kuvendi të ketë mundësinë e organizmit të komisioneve parlamentare sipas standardeve për procedurën e miratimit të akteve të përcaktuar në arsyetimin e këtij vendimi.
Për arsyet e mësipërme, në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështje, Gjykata, njëzëri, vendosi:
Pranimin e kërkesës
Shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025 të datës 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Efektet shfuqizuese të këtij vendimi hyjnë në fuqi 30 ditë nga data e botimit në Fletoren Zyrtare
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”.
© Panorama.al














