Dogji flamurin e Maqedonisë, lirohet shqiptari

Jan 24, 2012 | 18:32

Mynir Ismaili, i dyshuari për djegien e flamurit shtetëror të Maqedonisë do të mbrohet në liri. Kështu ka vendosur gjykatësi hetues në Gjykatën Themelore të Strugës. Lirimi i Mynir Ismailit u prit me ovacione të shumta nga qindra qytetarë të Strugës, të cilit ishin tubuar para godinës së Gjykatës në mbështetje të veprimit të tij, shkruan e përdisthmja Koha.

Qytetarët kanë qëndruar para gjykatës prej orëve të para të mëngjesit deri në ora 15.00, kur edhe u vendos lirimi i Ismailit nga paraburgimi. Sipas pohimeve brenda Gjykatës Themelore të Strugës, Ismaili do hetohet në liri me detyrim paraqitje para organeve të hetuesisë, kurse atij i është konfiskuar pasaporta deri në përmbylljen e procedurave.

Avokati mbrojtës i Ismailit, Dragan Koroveshoski, pas lirimit nga paraburgimi të klientit të tij, theksoi se vendimi është i drejtë dhe gjatë ecurisë së hetimeve të mëtutjeshme, do të vërtetohet që veprimi i Ismailit ka shkak dhe pasojë, dhe në këtë drejtim do bëhen përpjekje që ndaj tij mos të ketë asnjë pasojë.

”Mynir Ismaili këtë veprim nuk e ka drejtuar kundër askujt, por më shumë ky reagim ka ardhur si rezultat i thirrjeve të fundit nëpër tribuna sportive të orientuara kundër shqiptarëve. Tashmë Myniri është i lirë dhe do të hetohet në gjendje të lirë. Ne do të mundohemi që të provojmë para Gjykatës që ai në të ardhmen mos ketë asnjë pasojë për këtë veprim të tij”, thotë avokati Dragan Koroveshoski.

Për policinë e Strugës, Mynir Ismaili dyshohet për veprën penale “nxitje të urrejtjes etnike dhe fetare”, për të cilën akuzë është ngritur edhe padi penale në Gjykatën Themelore të Strugës.

© Panorama.al

Te lidhura