Deklaratat e ministres serbe, Snezhana Paunoviç se do të bënte spastrim etnik në Kosovë ka shkaktuar debate të forta mes opozitës dhe maxhorancës në mbledhjen e sotme të Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme.
Deputetja e PD-së, Albana Vokshi dhe Tritan Shehu u përplasën me kryetarin e Komisionit, Igli Hasani duke kërkuar që të miratohet një deklaratë dënuese që propozoi opozita, dhe shpalljen non grata të ministres serbe.
Hasani deklaroi se Shqipëria është shprehur me reagimin zyrtar për këtë çështje dhe nuk e kaloi në votim deklaratën e propozuar nga PD.
Në deklaratën e propozuar, theksohej se Komisioni i Jashtëm duhet të dënojë ashpër deklaratat e Paunoviç. Ndër kërkesat kryesore të opozitës ishin miratimi nga Kuvendi i projektrezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë dhe shpallja e Snezhana Paunoviç person non grata në Shqipëri.
Po ashtu kërkohej shqyrtimi i mundësive ligjore për referimin e deklaratave të saj si nxitje publike për spastrim etnik apo gjenocid, si dhe një thirrje drejtuar Qeverisë së Serbisë për t’u distancuar publikisht nga deklaratat dhe për të marrë masa ndaj çdo zyrtari që promovon retorikë të tillë.
DEKLARATA E PROPOZUAR:
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme, shqyrtoi me shqetësim dhe revoltë të thellë deklaratat e bëra publikisht nga ministrja e Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviç, e cila u shpreh se, “po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë”.
Si Komisioni përgjegjës për politikën e jashtme në Kuvend, shpreh qëndrimin e mëposhtëm dhe deklaron qëllimin e tij për të ndjekur këto drejtime veprimi:
- Komisioni dënon në mënyrë të prerë dhe ashpërsisht këto deklarata, të cilat përbëjnë lavdërim të hapur të një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit, spastrimit etnik në Kosovë, dhe shpërfaqin nostalgji të neveritshme për politikat e regjimit të Millosheviçit, të dënuar nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
- Komisioni rikujton dhe dënon vendosmërisht krimet e kryera nga regjimi i Millosheviçit dhe forcat paramilitare serbe kundër popullsisë civile shqiptare të Kosovës gjatë viteve 1998–1999, masakrat, dëbimet masive të mbi 800 mijë shqiptarëve, dhunimet sistematike, djegien e fshatrave, krime të dokumentuara nga Tribunali i Hagës dhe të regjistruara përgjithmonë nga historia dhe drejtësia ndërkombëtare si pjesë e një fushate kriminale spastrimi etnik ndaj popullit shqiptar.
- Komisioni përkulet me nderimin më të thellë përpara kujtimit të martirëve dhe dëshmorëve të Kosovës, civilë, gra, fëmijë e pleq, si dhe luftëtarë të rënë në mbrojtje të lirisë e mbijetesës së kombit, dhe shpreh mirënjohje ndaj heronjve të gjallë, ish-luftëtarëve, të mbijetuarve dhe familjeve të viktimave, që me sakrificën e tyre kanë ruajtur të vërtetën historike dhe kanë kontribuar pakthyeshmërisht në ndërtimin e Republikës së Kosovës si shtet i lirë e sovran.
- Komisioni vlerëson se çdo deklaratë që lavdëron, minimizon apo relativizon këto krime përbën fyerje të rëndë ndaj kujtimit të viktimave dhe nxitje të rrezikshme ringjallëse të ideologjive gjenocidale në rajon, dhe shpreh solidaritet të plotë me Republikën e Kosovës, duke përshëndetur vendimin e autoriteteve kosovare për të shpallur ministren Paunoviç persona non grata, si dhe qëndrimet e ShBA, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian ndaj deklaratës së saj.
4/1 Komisioni vlerëson se deklarata e ministres Paunoviç minojnë frymën e bashkëpunimit dhe të mirëkuptimit ndërmjet popujve të rajonit, duke rihapur plagë historike dhe duke dëmtuar besimin e ndërtuar përmes proceseve të dialogut rajonal.
4/2 Gjithashtu kjo retorike minon rrugën e integrimit evropian të Serbisë, pasi bie ndesh me vlerat themelore mbi të cilat ngrihet Bashkimi Evropian dhe me kriteret politike të kërkuara për vendet kandidate, përfshirë respektimin e të drejtave të njeriut dhe të kaluarës historike
4/3 Komisioni i kërkon Kuvendit miratimin e projektrezolutës së propozuar nga Partia Demokratike për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, si shprehje e unitetit përtej ndarjeve politike në mbrojtje të kujtesës kombëtare.
- Komisioni i kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të shpallë ministren Snezhana Paunoviç persona non grata, duke i ndaluar hyrjen dhe tranzitimin në territorin shqiptar.
- Komisioni nxit qeverinë shqiptare për të eksploruar rrugët ligjore ndaj Ministres Paunoviç, dhe referimin e saj për nxitje publike të spastrimit etnik/gjenocidit, parashikuar në nenin III, pika c, të Konventës së OKB-së për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit (1948).
- Komisioni i bën thirrje Qeverisë së Serbisë të distancohet publikisht dhe pa mëdyshje nga këto deklarata, të marrë masa të menjëhershme institucionale ndaj çdo zyrtari që promovon ideologji të tilla, dhe të përballet sinqerisht me të kaluarën, si kusht themelor për besueshmërinë e proceseve të normalizimit rajonal dhe integrimit evropian.
8.Komisioni për Punët e Jashtme rithekson se e vërteta historike dhe kujtesa e viktimave janë të panegociueshme, se nderimi ndaj martirëve e heronjve të Kosovës mbetet detyrim moral e kombëtar i përhershëm për gjithë shqiptarët, dhe se paqja rajonale mund të ndërtohet vetëm mbi ndarjen e vërtetë e të pakthyeshme nga politikat konfliktuale e gjenocidale të së kaluarës.
- Komisioni deklaron gatishmërinë e tij në mbrojtje të parimeve të fqinjësisë së mirë, dialogut konstruktiv dhe reciprocitetit mbi të cilat bazohet paqja, stabiliteti dhe bashkëjetesa në Ballkanin Perëndimor.












