Djegia e shoferit në makinë, policia: Vdiq nga asfiksia

May 25, 2011 | 9:55

TIRANE – Babai i tre fëmijëve, që u gjet i djegur në makinën e tij mbrëmjen e së hënës në fshatin Baldushk të Tiranës, ka vdekur nga asfiksia e më pas është djegur pjesërisht nga flakët. Makina tip “Golf 2”, me targë TR 4071 F, që drejtohej nga viktima Edmond Dibra, 31 vjeç, ka marrë flakë në lëvizje. Nga ana tjetër, fakti që makina ishte me naftë dhe në të tilla raste ndodh më rrallë që mjeti të përfshihet nga flakët, ka bërë që hetuesit të verifikojnë edhe ndonjë zjarrvënie të qëllimshme. Ekspertët kriminalistë shpjeguan dje se tymi i çliruar nga kruskoti i mjetit, në përbërje të të cilit ka gazra helmuese, i ka shkaktuar humbje ndjenjash e më pas asfiksi. Nga përhapja e flakëve, trupi i 31-vjeçarit është djegur pjesërisht, derisa i ka ardhur në ndihmë bashkëshortja, e cila ka parë që makina ishte përfshirë nga zjarri, 100 metra larg nga shtëpia prej ku kishte dalë Edmond Dibra. Oficerët e grupit hetimor sqaruan se ngjarja po hetohet në dy drejtime, edhe si zjarrvënie e qëllimshme, që mund të konsiderohet vrasje, por edhe si ngjarje aksidentale. Burimet konfirmuan se nga verifikimet e kryera në vendngjarje, por edhe nga dëshmi të personave të njohur të viktimës, nuk është gjetur ndonjë motiv për ta klasifikuar ngjarjen si vrasje. Nga këqyrja e automjetit nuk janë gjetur gjurmë, në formën e blozës, që shkaktohen nga djegia e benzinës, në rastin e supozuar se zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm dhe autorët mund të kishin përdorur këtë lëndë djegëse. Po ashtu, ekspertët kanë konstatuar se makina nuk ka shpërthyer dhe në vendngjarje nuk janë gjetur gjurmë baruti, apo elemente që mund të konfirmonin vendosjen e eksplozivit. Sipas policisë, që u referohet rasteve të ngjashme, ekziston mundësia që një makinë e tillë, e amortizuar, edhe pse me naftë, të marrë flakë nga ndonjë shkëndijë elektrike që shkakton djegien e kruskotit. Dhe në këtë rast asfiksimi i personit që ndodhet brenda ndodh brenda pak sekondash. Bashkëshortja e viktimës ka treguar në polici se i shoqi sapo kishte dalë nga shtëpia dhe ishte drejtuar për në lokalin loto-sport, ku punonte. Sapo ka ecur 100 metra me makinë, ajo ka parë nga dritarja që mjeti ishte përfshirë nga flakët dhe ka nxituar ta ndihmojë. Ndërsa persona të tjerë që janë marrë në pyetje nga policia kanë treguar se Dibra ishte person i qetë dhe nuk kishte konflikte me asnjë njeri.

© Panorama.al

Te lidhura