Djegia e oficerit të SHIK-ut, Isa Çopa, një javë më parë në Durrës, i ka vendosur Policinë dhe Prokurorinë në raporte diametralisht të kundërta.
Policia vazhdon të referojë prova e të dhëna për vetëvrasje, ndërkohë që Prokuroria e ka regjistruar dosjen e ngjarjes me klasifikimin vrasje me paramendim. Mjekësia Ligjore, e cila deri tani është cituar si burim i versionit të vrasjes, ka korrektuar dje informacionet e përhapura duke deklaruar se autopsia dhe ekspertiza e saj ende nuk ka mbaruar. “Nuk kemi thënë ende fjalën e fundit, pasi verifikimet që duhen bërë janë komplekse, kemi njoftuar grupin e hetimit se javën e ardhshme do të kenë një raport të plotë, deri atëherë nuk mund të bëjmë asnjë koment”, kanë thënë burimet e Mjekësisë Ligjore. Policia e Durrësit nga ana tjetër, përsëri dje ka deklaruar se versioni i saj për ngjarjen është vetëvrasja e oficerit 49-vjeçar që mbante funksionin e nëndrejtorit të SHIK-ut të Durrësit. Pas një analize të bërë nga ana e oficerëve është arritur në përfundimin se ngjarja ka ndodhur në harkun kohor të 45-50 minutave, përfshirë këtu kohën e daljes nga zyra, dërgimin e mesazhit të lamtumirës djalit të tij, rruga e përshkuar nga viktima dhe koha e shpërthimit.
MOSPËRPUTHJA E ORAREVE
Në orën 18:10 minuta, është vërtetuar se oficeri ka qenë në zyrën e tij. Sipas ekspertëve, pasi ka dalë nga zyra, ai ka udhëtuar nga zyra e tij në drejtim të Currilave, ku dhe u gjet i shkrumbuar. Kjo distancë mendohet të jetë përshkruar nga oficeri për një hark kohor prej 15 minutash. Në orën 18:33 minuta, në celularin e djalit të tij ka mbërritur SMS-ja e lamtumirës, me anë të së cilës i thoshte të birit të mbështetej te nëna e tij, të çante vetë jetën, si dhe të mos harronte gjakun. Në orën 19:00 ka ndodhur shpërthimi në serbatorin e mjetit, praktikisht segment i ngjarjes i ndodhur pas vendosjes së flakëve në gomat e mjetit dhe nxehjes së makinës nga flakët. Shpërthimi është dëgjuar nga rojet e objekteve që ndodhen pranë vendit të quajtur “porti i gjermanit”, vend në të cilin u gjet edhe trupi i pajetë i oficerit të SHISH-it, 49-vjeçarit Isa Çopa. Ka një mospërputhje në këto orare, pasi mesazhi i dërguar djalit të viktimës përmban disa fjalë të cilat për t’u shkruar në celular duan kohë dhe mbi të gjitha vëmendje. Nëse merret ky variant i ngjarjes në konsideratë, i bie se pas daljes nga zyra, agjenti i SHIK-ut edhe i ka dhënë makinës, edhe ka shkruar SMS-në, derisa ka mbërritur në vendin ku u gjet i vdekur, në Currila. I vetmi variant është që SMS-ja të jetë dërguar nga persona të tjerë me celularin e viktimës ose të ketë qenë shkruar më parë nga Isa Çopa.
POLICIA
Sipas Policisë, koha e daljes së Isa Çopës nga zyra deri në momentin e shpërthimit të makinës, nuk është e mjaftueshme për të organizuar një vrasje nga persona të tjerë. Në lidhje me gëzhojën e gjetur brenda në mjetin tip “Opel Corsa”, pas ekspertizës balistike rezulton se i përket armës së shërbimit të oficerit. Mësohet se vrima në tavanin e autoveturës është bërë nga brenda-jashtë. Zyrtarë të policisë deklaruan pak ditë më parë pas një analize në Durrës, se Mjekësia Ligjore kishte gjetur në trupin e pajetë të oficerit fraktura në pjesën e kafkës. l.m/t.s
© Panorama.al











