Djali i Remzi Hoxhës, akuzon prapë Gjykatën

Jan 10, 2012 | 11:01

TIRANE – Ardian Hoxha, djali i biznesmenit shqiptaro-maqedonas të zhdukur në vitin 1995, Remzi Hoxha, rishprehu dje kërkesën ndaj Presidentit të Republikës për hetimin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Pak ditë më parë, Hoxha pretendoi se vonesa e zbardhjes së vendimit të Kolegjeve të Bashkuara i dha atij mundësinë e arratisjes nga Londra. “Unë pres që Z. Topi do të nisë hetimin e gjithë kësaj ngjarjeje, sepse një arsyetim në letër nga kryetarja e Gjykatës së Lartë nuk do të thotë asgjë dhe nuk është arsye për mos-hetim të këtij procesi”, pohonte Hoxha në një letër shpërndarë për mediat. Reagimi i Hoxhës vjen pas reagimit zyrtar të tri ditëve më parë të Gjykatës së Lartë kundër pretendimeve të tij se vonesa e zbardhjes së vendimit unifikues kishte sjellë arratisjen e Ilir Kumbaros në Angli. Sipas Ardian Hoxhës, është fakt që është vonuar shpallja zyrtare e vendimit. Fakt tjetër, sipas tij, është vendimi i Gjykatës në Londër që shtyu datën e gjyqit për ekstradimin e Kumbaros nga 1 nëntori 2011 në 1 dhjetor, për shkak se ende nuk kishin përgjigje zyrtare nga Gjykata e Lartë shqiptare.

© Panorama.al

Te lidhura