“Djajtë”, pa Uejn Runin, nuk i tremben Shalkes

May 4, 2011 | 14:15

Aleks Ferguson nuk dyshon se skuadra e tij do të arrijë të kualifikohet për në finalen e Ligës së Kampioneve, madje ai ka bërë të ditur se do të lërë pushim disa prej futbollistëve kryesorë. Një prej tyre është edhe sulmuesi Uejn Runi. “Uejn ka shqetësime fizike dhe unë nuk dua ta rrezikoj. Do ta vendos nesër (sot), nëse do të jetë i aftë të luajë, apo jo, por me shumë mundësi ai nuk do të zbresë fare në fushë. Nuk mund të rrezikoj për pjesën e mbetur të sezonit, duke qenë se ne e nisim ndeshjen me një avantazh prej dy golash ndaj Shalkes. Në vendin e tij do të luajnë lojtarë me shumë eksperiencë dhe që unë kam besim se do të bëjnë diferencën”, – tha Aleks Ferguson. Në fakt, ai po bën ndryshime të rëndësishme në formacion, pasi synon të ruajë yjet e ekipit për ndeshjen në fundjavë kundër Çelsit, e cila do të jetë vendimtare në garën për titullin kampion. Ndërkohë, kreu i pankinës së “djajve të kuq” ka analizuar edhe formën e kundërshtarit: “Shalke nuk ka asgjë për të humbur, kështu që do të zbresë në fushë me synimin për të dhënë maksimumin. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos lejojmë që ata të fitojnë besimin se mund të arrijnë një rezultat pozitiv. Nëse i bllokojmë si duhet në fushë, duke mos lejuar që të bëjnë presing, atëherë nuk do ta kemi të vështirë të marrim atë që kërkojmë. Nuk mendoj se do të ketë surpriza, pasi i kemi të gjitha shanset për të qenë në finale. Jemi pa diskutim favoritët absolutë. Një ekipi duhet t’i mjaftojë fitorja 2-0 dhe ndeshja e kthimit në shtëpi”.

Mançester-Shalke (2-0)

Formacionet
e mundshme
Mançester J.(4-4-2): Van Der Sar, Evra, Vidiç, Ferdinand, Fabio, Kerrik, Skolls, Valencia, Park, Ouen, Berbatov.
Trajner: Aleks Ferguson
Shalke (4-4-2): Nojer, Eskudero, Metcelder, Hëvedes, Uçida, Kluge, Papadopulos, Farfan, Edu, Raul, Hurado. Trajner: Ranking

© Panorama.al

Te lidhura