Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka uruar qytetarët për Ditën e Verës nga Elbasani, kryeqendrën e kësaj feste. Ai shoqërohej nga bashkëshortja e tij, ndërsa përshëndetën edhe qytetarët që kishin dalë për të festuar.
Në një prononcim për gazetarët, kryedemokrati, krahas urimit, përcolli edhe një mesazh politike, duke u shprehur se shpreson që Ditën e Verës të vitit të ardhshëm t’ia lënë të keqen dimrit, duke shtuar se kryeministri Edi Rama dhe ish vartësja e tij, Belinda Balluku nuk kanë të ardhme.
“Së pari, qytetarëve, banorëve të Elbasanit, sot si kryeqyteti i festës për mbarë kombin, u uroj gëzuar Ditën e Verës, festën më të lashtë jo vetëm të shqiptarëve ç’është e vërteta, por edhe të kombeve të tjera, një ditë që ngjall shpresë, frymëzon ripërtëritje, një ditë pra gëzimi. Dhe sot këtë festë shqiptarët e festojnë më të bindur se kurrë se festën tjetër të keqen ia lanë dimrit dhe Rama me Lubinë të ardhme nuk kanë më. Kjo është dita e fundit e verës që ata i gjen me karrige të thyer ashtu siç janë. Nuk e meritojnë! Ndaj dhe le të urojmë që ditën e ardhshme të verës, qytetarët e Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë ta festojnë siç ua do zemra, ta festojnë me dyer të hapura drejt të ardhmes dhe drejt Europës.”, tha Berisha.
Berisha tha se “dyshja Rama-Balluku” po pengojnë rrugën e integrimit të Shqipërisë për në Bashkimin Evropian, ndërsa më pas shtoi se uron që “dita tjetër e verës të na gjejë sa më afër ëndrrës tonë evropiane.”
“Është e trishtë dhe e dhimbshme se në 34 vite kjo është dita e parë e verës në të cilën dyert e Europës u mbyllën për shqiptarët për shkak të veprimeve të pashembullta në historinë e vendeve që shkojnë drejt integrimit nga dyshja Rama-Balluku. Ndaj dhe le të urojmë dhe të punojmë që dita tjetër e verës të na gjejë sa më afër ëndrrës tonë evropiane.”, theksoi Berisha.
Berisha zhvilloi një takim me demokratët në Elbasan, ndërsa përmendi sërish akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama se me organizatën e tij kriminale dhe për interesat e tyre po i mbyllin dyert e integrimit të vendit.
“Ne e kremtojmë këtë ditë në kushte më të pazakonta krahasuar me të gjithë të tjerat, sepse e vërteta është se java para kësaj dite shënoi de facto mbylljen e dyerve të ëndrrës tonë evropiane, të integrimit tonë në BE. Pra, këta që sot janë në pushtet apo ky që kryeson këtë organizatën qeveritare kriminale, ky për interesa të veta mbylli dyert dhe tani ka filluar betejën me armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm në stilin e etërve të tij. Por Dita e Verës është dita e ndryshimit, është dita e ripërtëritjes, kështu që ne ecim të sigurt se ditën tjetër të verës do ta bëjmë shumë më mirë. Do t’i kemi dyert e ëndrrës tonë evropiane të hapura. Ju uroj dhe u falënderoj shumë për këtë pritje të ngrohtë.”, tha Berisha.
© Panorama.al

















