Protesta e të rinjve para Komisariatit nr. 3 është shoqëruar me disa incidente, teksa turma ka bërë thirrje për lirimin e shokëve të tyre të arrestuar dy ditë më parë para Parlamentit.
Disa të rinj me maska kanë thyer xhamat e Komisariatit të Policisë nr. 3, ndërkohë që pjesa më e madhe e protestuesve ka bërë thirrje që të ndalonin provokimet.
Nga pamjet bie në sy fakti se vetëm disa persona kanë kryer thyerjen e xhamave, ndërsa pjesa tjetër e protestuesve është distancuar nga këto veprime.
Policia ka nxjerrë në vijën e parë FNSH-në, ndërkohë që në vendngjarje ka mbërritur edhe automjeti ujëhedhës, duke tentuar të shpërndajë turmën.
Disa nga aktivistët janë shprehur se protestuesit do të largohen drejt Sheshit Skënderbej, duke i cilësuar personat që kryen aktet vandale si militantë partiakë.
© Panorama.al











