Zjarri ka shkrumbuar një banesë dy katëshe në lagjen periferike të Gjirokastrës, mbasditen e të enjtes. Ka qenë ora 18:20 minuta, kur banesa e Gentijan Qiros 27 vjec, u përfshi nga flakët e ethshme, të cilat brenda pak minutave, shkrumbuan gjithcka. Shkak u bë soba me dru e cila ishte lënë e ndezur në momentin kur në shtëpi, nuk gjendej askush. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Gërhot” në pjesën veriore të qytetit të Gjirokastrës dhe menjëherë ka patur reagim nga banorët e shtëpisë aty pranë. Komshinjtë e pronarit të ndërtesës, kanë lajmëruar menjëherë zjarrëfikësen, e cila ka mbërritur menjëherë në zonë duke ndërhyrë energjikisht për shuarjen e flakëve agresive. Mbërritja e zjarrëfikësve, më tepër ka shërbyer për shmangien e rrezikut nga zjarri, të banesave të tjera ngjitur me të. Policia e Gjirokastrës, me të shkuar në vendngjarje, ka bërë evakuimin e të gjithë banorëve nga shtëpitë ngjitur duke eleminuar rrezikun që u kanosej nga përhapja e zjarrit. I zoti i shtëpisë me të mbërritur, kur ka parë shtëpinë nën flakë, ka nxituar të shpëtojë orenditë shtëpiake që gjendeshin brenda, por nuk ka mundur dot se gjithcka, kishte përfunduar. Dëmtime të lehta pësoi 27 vjecari Qiro të cilit i është djegur shtëpia bashkë me orenditë brenda. Sipas vlerësimeve paraprake, dëmi përllogaritet në 4.5 milionë lek. Ky është rasti i dytë i rënies së zjarrit në Gjirokastër ku më 1 janar, një shtëpi së bashku me dy bujtësit e saj të moshuar, u përfshi nga flakët në orët e para të vitit 2012 në fshatin Dhoksat.
Piro Nase











