Digjet nënstacioni, Gjirokastra në terr

Jan 20, 2012 | 11:43

Zjarri i rënë në nënstacionin elektrik

Pa drita 80% e qytetit. Nënstacioni i ri furnizon vetëm dy lagje, të tjerat presin riparimin

Mbingarkesa në rrjet provokon flakët te transformatorët e vjetër

Djegia e transformatorëve në nënstacionin e vjetër elektrik të Gjirokastrës ka lënë në black-out total gati 80% të qytetit dhe të zonave përreth. Shkak ka qenë mbingarkesa e rrjetit tashmë të amortizuar, çka solli edhe katastrofën në nënstacionin e vjetër elektrik, i cili mban peshën e 2/3-tave të konsumit të energjisë për të gjithë Gjirokastrën dhe fshatrave përreth saj. Ka qenë ora 09:00 e mëngjesit të së enjtes, kur u dëgjua një shpërthim i madh që oshëtiu në zonën përreth nënstacionit. Ky shpërthim u shoqërua me një zjarr në dy prej transformatorëve të nënstacionit elektrik dhe më tej u pasua edhe te gjashtë transformatorët e tjerë. Menjëherë, stacioni zjarrfikës, i ndihmuar edhe nga policia vendore, u vu në shërbim të shuarjes së flakëve, të cilat nëse do të vazhdonin me intensitetin fillestar do të përpinin edhe ato pak pajisje që janë ende eficiente në këtë vepër energjetike. Situata ishte krejt alarmante dhe përbënte ende rrezik për zjarrfikësit, të cilët e kishin të vështirë të vinin nën kontroll flakët, kjo edhe për faktin se uji në depozitat e makinave ishte i ngrirë. Nga dy makina zjarrfikëse, vetëm njëra ishte në dispozicion, pasi tjetra ishte me ujë të ngrirë si pasojë e temperaturave tepër të ulëta që kanë mbizotëruar ditët e fundit në rajonin jugor. Situata ngjante sa tragjike, aq dhe komike, e kjo për shkak të kapriçove të motit të thatë e të ftohtë. Pas një lufte gati 20-minutëshe, zjarri u vu nën kontroll të plotë, ndërkohë që dëmet konsiderohen të pallogaritshme. Kjo për faktin se në Gjirokastër deri në orët e pasdites mbizotëronte një situatë kaotike në furnizimin e qytetarëve me energji elektrike. Vetëm dy lagje furnizohen nga nënstacioni i ri elektrik, ndërkohë që investimi total për shtrirjen e kabllove përcjellëse nga i vjetri tek i riu nuk kanë përfunduar në terren, ndonëse në letër ky proces ka 2 vjet që rezulton i përfunduar. Në lagjet e Gjirokastrës po operohet momentalisht me një sistem të vetëm furnizimi, pra me nënstacionin e ri elektrik që mbulon nevojat e 20% të popullatës së banorëve të qytetit dhe fshatrave përreth. Ndërsa për pjesën e ngelur pa rrymë elektrike, janë gjetur alternativa të tjera me periudha disaminutëshe furnizimi, të kombinuara në periudha të ndryshme kohore. Se cilat janë këto alternative furnizimi nuk mësohet dot, për shkak të kufizimit të informacionit nga ana e drejtuesve të CEZ-it. Nënstacioni i vjetër elektrik është ndërtuar në vitet ’60 me teknologji tërësisht kineze, dhe vit pas viti ajo është arnuar me disa përbërës të tjerë rrymë-përcjellës nga teknologji të tjera. Mjaft herë nënstacioni i vjetër elektrik përmbytej në kohë me reshje, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Drino, dhe për këtë u pa e udhës ndërtimi i nënstacionit të ri në një vend me bazë më të lartë. Sipas specialistëve, zjarri që ka lënë pa energji Gjirokastrën, ka ardhur si pasojë e shpërthimit të vajit të transformatorëve dhe djegies së rrjetit përcjellës në zonën qendrore të saj.

© Panorama.al

Te lidhura