Dialogu me Serbinë, Cooper nesër në Prishtinë

Jan 25, 2012 | 9:24

PRISHTINË- Në vijim të përpjekjeve për vijimin e dialogut, Kosovë-Serbi, ndërmjetësuesi i BE-së, Robert Cooper, sot ndodhet në Beograd ndërsa nesër do të jetë në Prishtinë, ku do të takohet me palët për t’i bindur ata që të vazhdohet sa më parë dialogu.

Kështu kanë bërë të ditur burime nga Brukseli, ku ditë më parë, ministrat e punëve të jashtme të 27 vendeve anëtare të BE-së, gjatë takimit të tyre, kanë kërkuar sa më shpejt vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd dhe arritjen e një marrëveshjeje për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale.

Është pikërisht kjo marrëveshje, prej së cilës edhe varet raundi i ri i bisedimeve, për shkak se të dy palët vazhdojnë të mos pajtohen me njëra-tjetrën kur bëhet fjalë për përfaqësimin rajonal të Kosovës. Serbia vazhdon të insistojë që Kosova në përfaqësimet rajonale të paraqitet vetëm nën Rezolutën 1244, derisa Prishtina e kundërshton një gjë të tillë.

Vizita e Cooper të enjten në Kosovë, konfirmohet edhe nga kryenegociatorja Edita Tahiri.

“Ndërmjetësuesi evropian ka paralajmëruar vizitën në Kosovë më 26 të këtij muaji. Është një vizitë që do bëhet në të dyja shtetet, në funksion të përgatitjeve dhe të përshpejtimit të dialogut teknik, përkatësisht dialogut të ardhshëm”, tha Tahiri për ”Zërin”.

Ajo shtoi se ishte mesi i muajit janar, koha kur është dashur të vazhdonin bisedimet, por për shkak të qëndrimit negativ të Serbisë lidhur me insistimin e tyre që referenca e pjesëmarrjes së Kosovës në bashkëpunimet rajonale të jetë e lidhur me Rezolutën 1244, ka shtyrë dialogun.

“Ne kemi qëndrim të prerë kundër kësaj, sepse është një rezolutë e tejkaluar që i takon historisë dhe Serbia nuk ka të drejtë të kërkojë një gjë të tillë”, tha Tahiri.

Ajo bëri të ditur se për të ardhur deri te një zgjidhje, BE-ja ka propozuar që Kosova të përfaqësohet në bashkëpunimet rajonale me anë të një fusnote, me anë të së cilës tregohet se Kosova është shtet i pavarur i njohur nga shumica e vendeve në rajon dhe në Evropë.

Pra, siç sqaron Tahiri, fusnota do të jetë e ngjashme me modelin që ka Maqedonia sot, e cila për shkak të emrit që nuk i njihet nga Greqia përfaqësohet me fusnotë. “Tani për çështjen e formulimit se si do të duket fusnota, nuk kemi ende një zgjidhje, por shpresojmë që ky takim i z. Cooper të jetë pozitiv”, tha Tahiri.

Po ashtu, sipas Tahirit, qëllimi i kësaj vizite nuk do të jetë vetëm për përfaqësimet rajonale por edhe për cilësinë e zbatimit të marrëveshjeve të kaluara nga ana e Serbisë. (Zeri)

© Panorama.al

Te lidhura