“Dhuratë” prona vjehrrit, në pranga ish-kreu i Hipotekës

Nov 17, 2011 | 9:17

Ish-kreu i Hipotekës së Vlorës, Edmond Banushaj bie në prangat e policisë për të dytën herë në harkun kohor të dy viteve, për falsifikim dhe abuzim me detyrën.

Mësohet se pas hetimit të kryer, ish-regjistruesi i Vlorës rezultoi se ka bërë korrigjim të hartave dhe kartelave pasurore duke favorizuar disa persona, të afërm të familjes së tij. Njëri prej tyre është vjehrri i tij, i cili nga hetimet e kryera ka rezultuar se ka përfituar një sasi të konsiderueshme prone në mënyrë të paligjshme. “Sektori Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar arrestoi shtetasin Edmond Banushaj, 50 vjeç, lindur në Selenicë dhe banues në Vlorë, ish-Regjistrues në vitet 2007-2009 në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ndalimi i këtij shtetasi u krye sepse nga hetimet e kryera ka rezultuar se gjatë kohës që ushtronte funksionin e Regjistruesit në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë, me veprime të paligjshme dhe duke kryer falsifikime të dokumenteve (deklaratat e kufitarëve) ka bërë korrigjime të hartave dhe kartelave pasurore, duke favorizuar regjistrimin e tyre në emër të familjarëve të tij”, bëri të ditur policia e Vlorës. Mësohet se hetimet ndaj tij kanë nisur më 30 korrik të këtij viti pas kallëzimit të bërë nga një qytetar. Ai i është drejtuar policisë duke pretenduar se nuk i ishte regjistruar një pronë prej 2500 m² që ndodhej në lagjen ’11 Janari’, zonë informale midis fushës së Aviacionit dhe Pusmezinit në Vlorë. Gjithashtu, qytetari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ka paraqitur dokumentet me të cilat vërtetonte se e kishte përfituar truallin konform ligjit 7501 dhe të konfirmuar nga autoritetet zyrtare siç është Komisioni i Verifikimit të titujve të Pronësisë. “Nga hetimet paraprake ka rezultuar se në vitin 2007, Banushaj ka urdhëruar vartësit e tij, juristen dhe hartografen e Hipotekës që të bëjnë korrigjimin e hartës treguese dhe kartelave, duke ndryshuar pronësinë në favor të vjehrrit të tij”, bënë të ditur burime nga grupi i hetimit të cilët gjatë këtyre muajve kanë hetuar dokumentacionin e sipërfaqes prej 2500 m2, ku ishte kryer edhe mbivendosja. Ish-kreu i Hipotekës akuzohet për “shpërdorim të detyrës” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Edmond Banushaj ka drejtuar Hipotekën e Vlorës nga viti 2007 – 2009. Ai ndodhej ende në proces gjyqësor pasi u arrestua dhe ndiqej në gjendje të lirë po për çështje abuzive që kanë të bëjnë me pronat. Banushaj u arrestua më 1 tetor të vitit 2009 pas operacionit të koduar “Fillimi i vjeshtës”, së bashku me ish- juristin e zyrës së regjistrimit të pasurive Viktor Kuçi, 48 vjeç. Në bashkëpunim ata akuzoheshin se kishin falsifikuar dokumentet e një sipërfaqeje toke në Vlorë prej 800 m2 duke i kaluar në emër të një tjetër shtetasi. Procesi gjyqësor vijonte në gjykatën e Vlorës për këtë çështje, por tashmë ndaj ish- kreut të Hipotekës shtohen akuzat dhe denoncimet, që çuan në arrestimin e tij për të dytën herë.

© Panorama.al

Te lidhura