Deputetja e larguar nga radhët e socialistëve Marjana Koçeku ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me dhunën e ushtruar sot nga policia e shtetit ndaj protestuesve në protestën para parlamentit.
Koçeku thotë se ka ndjekur me shqetësim dhunën e policisë dhe se është i vetmi komunikim politik që pushteti i ofron protestuesve.
Deputetja shton se kur shteti nuk ka më argumente përdor vetëm shkopa gome, pranga dhe çizme.
Reagimi i deputetes Marjana Koçeku:
Kam ndjekë me shqetësim sot dhunën policore të ushtrueme mbi protestuesit. Më vjen keq që i vetmi komunikim dhe mesazh politik që ky pushtet mundet me u ofru protestuesve asht dhuna.
Kur argumentet i mbarojnë nji shteti, mbesin vetëm shkopi i gomës, prangat dhe çizmja e policit. Por asnji pushtet nuk e ka zgjatë jetën e vet tu i goditë qytetarët që kërkojnë me u dëgjue. Merrni datat ma kyçe të historisë dhe do shihni se këtë e kena dëshmue çdo herë.
Nji shtet që zgjedh me iu përgjigjë pakënaqësisë qytetare me dhunë, nuk po demonstron forcë; po demonstron pafuqinë e vet për me bindë.












