Dhënia e 4 mln eurove për koncertin e Kanye West, Qëndresa Qytetare kërkesë KLSH-së për auditim: Ka dyshime serioze për ligjshmërinë e përdorimit të fondit rezervë!

Jul 13, 2026 | 10:55

Qëndresa Qytetare i është drejtuar sot zyrtarisht Kontrollit të Lartë të Shtetit me kërkesën për të ushtruar kontroll mbi përdorimin, administrimin dhe mbrojtjen e 4 milionë eurove të marra nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për financimin e pjesshëm të koncertit të Kanye West.
rama west

Qëndresa Qytetare vlerëson se ekzistojnë dyshime serioze mbi ligjshmërinë dhe mënyrën e përdorimit të fondit rezervë, i cili, sipas legjislacionit buxhetor, duhet të përdoret vetëm për shpenzime të paparashikuara dhe objektivisht të pamundura për t’u parashikuar gjatë procesit të hartimit të buxhetit.

Financimi i një aktiviteti privat kulturor përmes një akti normativ të miratuar vetëm pak ditë përpara zhvillimit të koncertit ngre pikëpyetje të forta mbi respektimin e procedurave ligjore, transparencën e vendimmarrjes, kriteret e përzgjedhjes së përfituesit dhe eficiencën e përdorimit të parave publike.

Akti Normativ nr. 3/2026 bie ndesh me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe rregullat e BE-së për ndihmën shtetërore, pasi favorizon financiarisht përfitues të caktuar dhe rrezikon të shtrembërojë konkurrencën

Për këtë arsye, Qëndresa Qytetare i kërkon Kontrollit të Lartë të Shtetit të auditojë të gjithë procesin e vendimmarrjes, transferimit dhe përdorimit të fondeve publike të lidhura me Aktin Normativ nr. 3/2026.

Gjithashtu, kërkojmë që, nëse gjatë auditimit evidentohen elementë të ndihmës së paligjshme shtetërore apo shkelje të tjera ligjore, çështja t’u referohet institucioneve kompetente, përfshirë Komisionin e Ndihmës Shtetërore dhe organet e ndjekjes penale.

4 milionë euro janë para publike dhe çdo qindarkë e tyre duhet të jetë e justifikuar, transparente dhe e kontrollueshme.

Qëndresa Qytetare do të ndjekë institucionalisht këtë çështje dhe do të informojë publikun mbi çdo zhvillim, përgjigje apo veprim të ndërmarrë nga institucionet përgjegjëse.

 

© Panorama.al

Te lidhura