Kuvendi u mblodh sot për punimet në seancë plenare, ku do dëgjohen dhe hartohen rezoluta për raportet vjetore të institucioneve të pavarura.
Parlamenti rrëzoi kërkesën e opozitës prezentë të Partisë Mundësia për interpelancë, ndërsa PD bojkotoi seancën.
Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka qenë i pari që ka marrë fjalën në seancën plenare, ku ka akuzuar mazhorancën se me forcën e kartonëve ka përjashtuar nga punimet e Kuvendit kreun e kësaj force politike, Agron Shehaj, për tre muaj.
“Kthehem në sallë pas 20 ditësh përjashtim, që nuk e kërkoj pse u përjashtova. Më e rënda është që Kuvendi, me dhunën e kartonëve të kuq, ka përjashtuar edhe Shehajn për 30 ditë të tjera. Në total, kreu i një partie politike ka munguar 3 muaj, pra 1/3 e kohës. Nëse mendoni se ky është parlamentarizëm, është patetizëm”, tha ai mes të tjerash.
Kapri akuzoi gjithashtu Policinë për rrethimin e Kuvendit me efektivë, edhe pse jashtë nuk kishte protestues. Ai theksoi se mazhoranca trembet nga vezët e qytetarëve.
“Sot qytetarët janë në shesh dhe kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe shpërbërjen e Kuvendit. Mendoni se jeni pronarë të Shqipërisë dhe e keni kthyer vendin në këtë derexhe. Sapo u informova për letrat ku kërkesat tona për interpelanca janë anuluar. Si mund të ndaloni deputetët të flasin dhe të shkelni Kushtetutën në këtë pikë? Ky nuk është as parlament dhe as parlamentarizëm. Kuvendi është blinduar nga policia edhe pse nuk ka asnjë protestues, sepse ju trembeni nga vezët. U trembët ju!”, u shpreh ai.
© Panorama.al












