Filmi biografik kushtuar legjendës së muzikës Michael Jackson, “Michael”, ka kaluar shifrën e 1 miliard dollarëve në arkëtimet globale, duke vendosur një rekord të ri pas 12 fundjavësh në kinema.
Ky është filmi i dytë që arrin këtë sukses gjatë këtij viti, pas “Super Mario Galaxy”, ndërsa për studion Lionsgate shënon filmin e parë në histori që kalon kufirin e 1 miliard dollarëve në biletari.
Deri më tani, rekordi i studios mbahej nga “The Hunger Games: Catching Fire” (2013), me Jennifer Lawrence në rolin kryesor, i cili e përfundoi shfaqjen në kinema me të ardhura globale prej 865.2 milionë dollarësh.
Me regji të Antoine Fuqua dhe prodhim të Graham King, “Michael” ka arkëtuar 371.8 milionë dollarë në Shtetet e Bashkuara dhe 629.8 milionë dollarë në tregjet ndërkombëtare. Ndër tregjet më të suksesshme spikat Japonia, ku filmi ka gjeneruar 35.75 milionë dollarë.
Në javët e fundit të shfaqjes në kinema, filmi ka regjistruar rritje të ndjeshme të të ardhurave edhe në tregun rus.
1 legend. 1 story. $1 billion at the box office.
To every fan who bought a ticket, sang along, dressed up, and returned to the big screen again and again: thank you. This milestone belongs to you. #MichaelMovie pic.twitter.com/PA0X4rwpSk
— Michael (@michaelmovie) July 12, 2026
Me këtë rezultat, “Michael” është bërë edhe filmi me fitimet më të larta në karrierën e producentit Graham King, duke lënë pas “Bohemian Rhapsody”, që kishte arkëtuar 911 milionë dollarë në mbarë botën. Njëkohësisht, ai është edhe filmi më i suksesshëm në karrierën e regjisorit Antoine Fuqua, duke tejkaluar “King Arthur”, i cili kishte mbledhur 203 milionë dollarë.
“Është vërtet prekëse të shohësh njerëz nga e gjithë bota, të rinj e të moshuar, nga çdo shtresë e shoqërisë, të bashkohen për të përjetuar këtë film dhe emocionet që ai u ka sjellë shikuesve në çdo cep të planetit”, është shprehur producenti Graham King.
Filmi ka vendosur një tjetër rekord, duke u bërë filmi biografik me fitimet më të larta në historinë e kinemasë. Ai ka lënë pas “Oppenheimer”, i cili kishte arkëtuar 975.8 milionë dollarë në rang global.
Gjithashtu, “Michael” është filmi i dytë me fitimet më të larta në karrierën e skenaristit John Logan, pas “Skyfall”, që kishte kaluar shifrën e 1.1 miliardë dollarëve në arkëtimet botërore.
Në rolin e Michael Jackson interpreton Jafar Jackson, nipi i artistit legjendar, i cili bën debutimin e tij në kinematografi. Në kast bëjnë pjesë gjithashtu Nia Long, Laura Harrier, Giuliano Crue Waldi, Miles Teller dhe Colman Domingo.
© Panorama.al












