Një çift artistësh të martuar, që i këndojnë ndjenjës së fortë. Në festivalin “Kënga Magjike”, Devis Xherahu, i cili prej me shumë se 10 vitesh po bën karrierë si këngëtar në Athinë, kësaj here këndon muzikën e bashkëshortes së tij pianiste. Ajo quhet Paola Kondakçi dhe i është kthyer pasionit të saj të kompozimit, qëkur ishte studente. Këngëtari tregon për paskuintat e një bashkëpunimi të tillë, ku në një baladë tregohet dhimbja e dashurisë pa kufi.
Devis konkurron për herë të parë në festivalin “Kënga Magjike” me një baladë për ndarjen. Kush e ka shkruar këngën?
Po, e vërtetë, që kjo është hera e parë që konkurroj në “Kënga Magjike”, dhe në këtë një javë pas prezantimit të këngës “Akoma s’e besoj” në programin e “E diela shqiptare” kam marrë shumë vlerësime. Muzikën e ka shkruar bashkëshortja ime që është pianiste, Paola Kondakçi, ndërsa vargjet janë të Jorgo Papingjit. Mua personalisht më ngjiti shumë si këngë, por me sa di edhe publikut, pasi vetëm për tri ditë janë regjistruar 6000 view-s në Youtube.
Ia beson këngën bashkëshortes në këtë festival, cila është karriera e saj në muzikë?
Në fakt, Paola është autorja edhe e këngës “Endacaku”, që kam kënduar para pesë vitesh në Festivalin e Këngës në RTSH. Po ashtu, ajo para 10 vitesh shkroi muzikës e këngës për mikeshën e saj, Sonila Mara, që konkurroi në RTSH. Aktualisht Paola është pedagoge pianoje në Universitetin e Athinës dhe këtë këngë e shkroi para dy muajsh, posaçërisht për “Kënga Magjike”.
Ishte ndonjë premtim yti ndaj saj për këtë bashkëpunim? Si lindi frymëzimi?
Jo, vendosa kështu, thjesht sepse e ndieja që kjo këngë do pëlqehej shumë. Duke më njohur mirë Paola, ajo më shumë se kushdo e di shumë saktë se çfarë më shkon të këndoj dhe çfarë jo. Për sa i përket frymëzimit, mendoj se frymëzimi nuk ka kufij dhe orë, ai vjen dhe kaq…
Ajo që bën përshtypje, është se ju si dy të martuar konkurroni me një këngë ku flitet për ndarjen. Pse?
Në fakt, vargjet janë të Jorgo Papingjit dhe vetëm ai e di pse shkroi vargje të tilla, që i dedikohen ndarjes. Di të them që është një përshtatje e vargjeve të tij të bukura me muzikën baladë të Paolës, e cila është e prirë vetëm për baladat.
Meqenëse ky është një konkurrim në çift, cilin prej çmimeve do dëshironit?
Ne pretendojmë çmimin e publikut, gjithsesi le të shohim.











