Detektivi Sherlock Holmes rikthehet në kinema

Jan 5, 2012 | 13:12

Detektivi i jashtëzakonshëm Sherlock Holmes rikthehet sërish në terren me “Lojën e hijeve”. Prej datës 3 janar, filmi ka nisur të shfaqet në kinema “Millennium”. Në këtë episod të dytë, detektivi londinez vjen krejt ndryshe nga sa është parë deri më sot. Sherlock Holmes tashmë nuk është një njeri i plogësht, por një njeri i aksionit, ekspert i arteve marciale, një burrë joshës dhe elegant. Figura e tij, ashtu si edhe në filmin e parë, vjen nën interpretimin e aktorit Robert Downey Jr. Asistenti i ngushtë i detektivit vjen nga aktori Jude Law, ndërsa Noomi Parace luan rolin e një ciganeje në aventurën e Sherlock Holmes. Filmi drejtohet nga regjisori Guy Ritchie dhe vjen 2 vjet pas suksesit të filmit të parë, që arriti të arkëtonte një shumë marramendëse prej gjysmë miliardë dollarësh. Në këtë pjesë të dytë, detektivit i duhet të zgjidhë enigmën e një vetëvrasjeje-vrasje. Kur princi i Austrisë u gjet i vdekur, të gjitha provat e mbledhura tregonin se bëhej fjalë për një vetëvrasje. Por Sherlock Holmes nuk është aspak i bindur dhe mendon se princi është vrarë dhe vrasja ishte e lidhur me shumë interesa. Kështu Holmes do të ketë përballë një kundërshtar po aq inteligjent sa ai, që i vështirëson gjetjen e së vërtetës.

© Panorama.al

Te lidhura