Dëshira e madhe! Pas largimit nga Shqipëria, trajneri që po punon me Vengerin në Botëror: Nuk përjashtoj asgjë

Jun 25, 2026 | 13:37

Pablo Zabaleta ishte ndihmësi i trajnerit Silvinjo gjatë periudhës së tij te Kombëtarja shqiptare. Së fundmi po punon me projektin e Grupit të Studimit Teknik në FIFA gjatë Botërorit. Arsen Venger është udhëheqësi.

zabaleta-silvinjo

I pajisur si trajner me licencën UEFA Pro, Zabaleta e ka shprehur dëshirën që të jetë për herë të parë në krye të një ekipi. Prandaj po fliste për San Lorenzon, pikërisht aty ku nisi çdo gjë.

“Më dhemb momenti që po kalon San Lorenzo. Unë erdha në klub kur isha 12 vjeç, kalova nëpër të gjitha kategoritë e moshave deri sa arrita në ekipin e parë dhe jetoja në hotelin e klubit. E njoh shumë mirë klubin nga brenda.

Tani janë zhvilluar zgjedhje dhe është zgjedhur një drejtim për një mandat prej një viti e gjysmë. Duhet të menaxhohet mirë që klubi të mund të ecë përpara. San Lorenzo është një klub i rëndësishëm, një nga klubet e mëdha, dhe duhet të jetë në një gjendje shumë më të mirë se ajo në të cilën ndodhet sot.

E kam përfunduar kursin e trajnerit dhe të jem trajner është ajo që më pëlqen. Vij nga një përvojë si ndihmës trajner. Ndoshta në një moment do të më jepet mundësia të drejtoj i vetëm një ekip diku. Nuk do të përjashtoja kurrë asgjë, aq më pak San Lorenzon, që është klubi ku e nisa karrierën dhe ku kalova shumë vite”, u shpreh Zabaleta. Eksperienca e vetme e tij pas asaj si futbollist, është pikërisht te Shqipëria.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura