Deputeti i PD, Sybi Hida: “Pas Presidentit të rifreskohet Qeveria”

Mar 15, 2012 | 9:19

Deputeti i PD, Sybi Hida

Intervista/ Sybi Hida: Analizë për çdo ministri në Grup,  Fatos Nano mori atë që meritonte nga PD, pensionin.

Deputeti i PD flet për Qeverinë e Presidentin.

Deputeti i Partisë Demokratike në qarkun e Elbasanit, Sybi Hida, e shikon kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, si një kandidaturë shumë të mirë për postin e Presidentit. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai shprehet se nënkryetarja e PD-së nuk do ta zhgënjejë të djathtën, siç bëri Presidenti aktual, Bamir Topi. I pyetur nëse ka shanse Fatos Nano të zgjidhet kreu i ri i shtetit në muajin korrik, Hida thotë se “mendoj që zoti Nano e ka marrë atë çfarë meritonte nga PD. Para vitit 2005, zoti Berisha i ka premtuar që do ta nxjerrë në pension politik dhe mendoj se ka pasur të drejtë”. Lidhur me ndryshimet në qeveri, deputeti demokrat shprehet se PD duhet të bëjë një analizë të këtyre tri viteve vetëm pas zgjedhjes së Presidentit.
Zoti Hida, prej disa kohësh, në Grupin Parlamentar të PD-së, sa vijnë dhe shtohen zërat për ndryshime në qeveri. Mendoni se ky kabinet qeveritar duhet të rifreskohet pas gati tre vjetësh nga ky mandat i dytë?
Mendoj që çdokush që do të kishte mundësi të formonte një qeveri, do ta bënte atë sipas vlerësimit personal për njerëz, kontribute dhe faktorë të ndryshëm. Ne kemi votuar në Parlament qeverinë e zotit Berisha, bashkë me programin e saj, dhe deri tani nuk shikoj që ajo po punon mbi një program tjetër, përkundrazi. Meqë ju u referoheni zërave që kërkojnë ndryshime, dua të them se nuk i kam dëgjuar ato në mbledhjet e Grupit Parlamentar, mbledhje ku diskutohen çështje të qeverisjes dhe programit të Partisë Demokratike. Për të ardhur te përgjigja e pyetjes, mendoj që PD është para një veprimi shumë të rëndësishëm politik. Në fakt, e gjithë politika, siç është zgjedhja e Presidentit, dhe parapëlqej që debati mbi suksesin e programit të qeverisë të realizohet, dhe kjo është e nevojshme pas këtij aksioni politik. Unë mendoj që rifreskimi i qeverisë nuk ka të bëjë me emrat, por me performancën e çdo ministrie. Grupi Parlamentari i PD-së duhet të bëjë një analizë ku të trajtohen arritjet në sektorë të ndryshëm e të ballafaqohen ato me pritjet e vendosura në fillim të këtij mandati. Kjo është e nevojshme, pasi përkon edhe me fillimin e përgatitjes së programit të qeverisjes 2013-2017.
Në gjykimin tuaj, a duhet të ketë ndryshim në radhët e ministrave, të cilët janë edhe kryetarë të grupeve në qarqe, të cilët do të kërkojnë vota për mandatin e tretë? Mendoni se ky grup është i konsumuar, i lodhur, dhe nuk garanton thithjen e votave në vitin 2013?
Votat për mandatin e tretë do t’i kërkojnë të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike, dhe jo vetëm ministrat. Sigurisht që ministrat janë përfaqësuesit tanë dhe bartës të një përgjegjësie më të madhe. Qenia edhe kryetarë të grupeve në qarqeve i bën ata më me përgjegjësi dhe mendoj që duhet të bëhet një ballafaqim i degëve të partisë me grupin e deputetëve apo me Kryesinë e PD-së. Ndërsa për atë që ju e quani lodhje, jam i bindur që Partia Demokratike nuk është as e lodhur, as e dekurajuar për të zbatuar programin e saj dhe madje më duket një fjalë pa kuptim lodhja në një rast si ky. Jam besëplotë se PD do të marrë mbështetjen e shqiptarëve edhe në vitin 2013, pasi është një parti që e bazon programin e saj mbi situatën konkrete dhe e orienton atë drejt përmirësimit të vazhdueshëm. Partia Demokratike është një mekanizëm i gjallë, me program, ide dhe njerëz që gjatë këtyre 22 viteve ka bërë që Shqipëria të jetë një vend më i mirë për të gjithë, një vend ku demokracia funksionon, ku gjithkush ushtron liritë, por edhe përgjegjësitë e tij. Pa dyshim që edhe probleme në të gjitha këto lëmenj ka, por që të gjitha janë në fokus të qeverisjes me mundësitë që ajo ka.
Pak javë më parë, nga Grupi Parlamentar i PD-së u largua ish-zv.kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i cili tha se mbledhjet e Grupit janë njësoj si ato të Byrosë së para viteve ‘90. Si anëtar i këtij forumi të PD-së, është e vërtetë kjo? A është i vërtetë fakti që pas Kryeministrit, në mbledhjet e Grupit nuk flet asnjë deputet?
Byroja Politike ka qenë një strukturë e ngurtë dhe më e epërmja e një partie që kishte ngritur kampe përqendrimi, vrarë, burgosur nacionalistë, antikomunistë dhe kundërshtarë të partisë. Ka qenë një strukturë që rrinte mbi kufoma dhe eshtra pa varr të mijëra të pushkatuarve dhe vdekurve nga torturat. Më duket mungesë e thellë respekti për demokracinë, për të gjithë ata që e dinë se çfarë ka qenë Partia e Punës dhe për të gjithë ata që humbën gjithçka, edhe jetën, ta krahasosh sot Grupin Parlamentar të PD-së me Byronë Politike. Është për të ardhur keq që këtë e ka thënë zoti Oketa, madje jam i befasuar. Si deputet e politikan i ri, vlerësoj si demokratik dhe fisnik faktin që Kryeministri çdo javë vjen para Grupit Parlamentar dhe paraqet në mënyrë të detajuar punën e qeverisë dhe synimet e saja afatshkurtra. Në vazhdimin e mbledhjes që bëhet pa praninë e medias, çdo deputet ka mundësi të ngrejë çështje nga më të ndryshmet, si shqetësime që vijnë nga çdo qytetar, ashtu dhe për të sugjeruar politika ekonomike e sociale. Ka deputetë që ngrenë shqetësime, kërkojnë sqarime, por ka edhe deputetë që nuk flasin fare, ndoshta disa prej tyre mendojnë që i kanë shumë të vlefshme mendimet. Pra, mua më duket shumë demokratik ky komunikim i Kryeministrit, njëkohësisht kryetar i partisë, me deputetët.
Në muajin maj pritet të nisë zyrtarisht gara për zgjedhjen e kreu të ri të shtetit. Maxhoranca ka deklaruar se do ta zgjedhë ajo Presidentin e ri, ndërkohë që nuk janë të pakta apelet e ndërkombëtarëve për një President konsensual. Në gjykimin tuaj, a duhet që shumica të tentojë konsensusin në tri raundet e para, apo të shkojë direkt në raundin e katërt, ku duhen vetëm 71 vota?
Konsensusi është një gjë shumë e mirë, dhe po të arrinim të zgjidhnim një President në këtë mënyrë, mendoj se do të zhvillonim një proces të vlerësueshëm. Edhe Kushtetuta vetë këtë sugjeron, duke kërkuar disa raunde. Por, konsensusi nuk është një mjet magjik që detyrimisht të çon në një President të mirë. Presidenti në Shqipëri, sipas asaj që thotë Kushtetuta jonë, nuk është një figurë që bën politikë dhe as qetëson partitë politike apo i nxit ato. Më së shumti është honorifik dhe ka një ndikim të rëndësishëm në profilin që i jep institucionit, në mënyrën se si merr vendimet dhe se si me anë të tyre përfaqëson interesin e Kushtetutës dhe publikut. Personalisht mendoj se një President duhet të jetë shumë elegant në tërësinë e tij dhe të mos jetë pjesë e betejës së përditshme politike, përndryshe do të kemi një Presidencë pjesë të spektrit të partive në Shqipëri, siç e kemi tani. E kam shumë të vështirë të besoj se Rama mund të dojë të ketë një konsensus, pasi ai ka një histori ku konsensusi është gjëja më e pamundur. Edhe në partinë e tij shihet se si e trajton negociatën dhe marrëveshjen, e trajton si një mall në përdorim.
Paralelisht me debatin se si do të zgjidhet Presidenti ri, kanë dalë edhe emrat e parë për këtë garë. Është vetofruar Fatos Nano, ish-kryeministër i socialistëve, i cili duket tani marrëdhëniet me të djathtën i ka të mira. E shikoni Nanon si Presidentin e ardhshëm?
Është e vërtetë që këto kohë kemi parë shumë emra, dhe më duket se është bërë edhe si modë që politikanët apo opinionbërësit të këshillojnë emra të ndryshëm për Presidentin për kapital personal, sesa për një debat të vërtetë. Mendoj që zoti Nano e ka marrë atë çfarë meritonte nga PD. Para vitit 2005 zoti Berisha i ka premtuar që do ta nxjerrë në pension politik dhe mendoj se ka pasur të drejtë.
Paralelisht me Nanon, emri tjetër po kaq i lakuar është ai i kryeparlamentares Jozefina Topalli. Në vlerësimin tuaj, sa mundësi ka ajo të marrë një mandat pesëvjeçar ku do të zëvendësojë ish-nënkryetarin e demokratëve, Bamir Topi?
Për zonjën Topalli unë jam shprehur edhe më parë. Zonja Topalli është një figurë e lartë në Partinë Demokratike, me një karrierë politike e shtetare që ka ardhur gjithmonë në rritje. Gjithashtu dua të theksoj se figura e zonjës Topalli nuk është njollosur deri sot, apo të jetë përmendur për afera korruptive, siç ndodh shpesh me emrat e politikanëve shqiptarë. Për më tepër, zonja Topalli e ka treguar se mund të bëjë ndryshime në politikë, siç edhe e ka treguar gjatë këtyre viteve në krye të Parlamentit shqiptar, ku i ka dhënë një tjetër figurë nga ajo që ishim mësuar më parë. Mendoj që me figurën që paraqet zonja Topalli, si dhe me frymën që ajo mbart, institucioni i Presidencës do të vlerësohej maksimalisht. Veç kësaj, ajo nuk do të zhgënjente, siç ndodhi me z. Topi, askënd nga e djathta.
Me mbarimin e mandatit, kreu i shtetit pritet të zyrtarizojë edhe forcën e re politike, e cila, bazë të elektoratit do të ketë shtresat e djathta. I trembeni faktit se kjo parti mund të krijojë rrjedhje të votave të djathta? E përjashtoni ju një marrëveshje parazgjedhore me partinë e Topit?
Jam i bindur që shtresa që mendon për politika të djathta dhe shtresa antikomuniste do ta mbështesin atë që ka treguar që zbaton këto politika, e jo ata që përbetohen si të djathtë para fushatave. Shpresa se e djathta mund të votojë Edi Ramën, Gramoz Ruçin, Ilir Gjonin, Bamir Topin, Kreshnik Spahiun, Sajmir Tahirin apo Namik Doklen, këtë aleancë të habitshme, por ndoshta edhe jo aq të habitshme, është veçse një iluzion dhe si i tillë do të vdesë ditën e zgjedhjeve dhe brenda kutive të votimit të saj dite.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura